Futboll

Kontratat me llaf burri dhe marrëdhënia e vështirë klub-lojtarë

Kontratat e futbollistëve me klubet në Shqipëri kanë qenë gjithmonë një problem. Shpesh ato nuk respektohen nga klubi, ndërsa lojtarët shpesh nuk janë të qartë për atë që kanë firmosur. Një marrëdhënie e vështirë në përgjithësi, por edhe më e vështirë në periudhën post-Covid. Është një situatë ndryshe që lidhet me periudhën dymujore qershor-korrik, përtej kontratës normale sezonale. Tani lojtarët janë pak më të favorizuar.

Një situatë, së cilës FIFA i ka paraprirë, duke saktësuar në rregulloren e saj se lojtarët janë të lirë të vendosin, nëse do të luajnë këto dy muaj apo jo me ekipin përkatës. Ata mund të vazhdojnë të luajnë, nëse arrijnë një akord me klubin, ndërkohë që nuk mund të firmosin me një klub tjetër pa u mbyllur kjo periudhë në kampionatet kombëtare. Normalisht, duhet një shtesë në kontratë për këto dy muaj, por në Shqipëri, siç ndodh rëndom edhe në kohë normale, preferohet e ashtuquajtura “kontratë me llaf burri”, apo marrëveshje xhentëllmenësh. Dhe problemet e para janë shfaqur, sepse lojtarët e kanë më të lehtë të reagojnë, duke mos pasur asnjë detyrim kontraktual.

Kukësi, ekipi që bojkoit stërvitje ditën e hënë. Gazeta Si, 23 qershor 2020

Bojkoti i futbollistëve po bëhet më i shpeshtë pikërisht për këtë arsye. Bojkotoi stërvitjen Vllaznia e para, më pas Besa dhe së fundi Kukësi, ndoshta shumë skuadra të tjera janë gati. Shkaku është i njëjtë: pagat e prapambetura. Dhe të mendosh që flitet ende për pagën e shkurtit… Lojtarëve të këtyre skuadrave dhe shumë të tjerave u ka përfunduar kontrata në fund të muajit maj, ndërkohë që aktiviteti vazhdon deri në fund të korrikut. Kuptohet që në akordin për muajt qershor dhe korrik është diskutuar edhe për muajt e mëparshëm. Në rastin më të parë kur klubet nuk shlyejnë detyrime të prapambetura, lojtarët bojkotojnë, pasi janë të lirë. Kontrata me llaf burri nuk pi ujë në këtë rast.

Lojtarët sigurisht që nuk duan të rrezikojnë shëndetin, nëse nuk shlyen financiarisht. Është një marrëdhënie e vështirë, sidomos për ekipet që kanë dalë nga objektivi sezonal. Besa, për shembull, pas bojkotit të titullarëve para ndeshjes me Lushnjën, ka mbyllur përfundimisht marrëdhënien me ta dhe do ta vazhdojë kampionatin me të rinjtë. Një klub shembullor është treguar Lushnja, që jo vetëm ka rënë dakord me lojtarët, por edhe ka firmosur një shtesë kontrate me ta, duke qenë shumë korrekte me dokumentet. Ndër të paktat klube, për të mos thënë i vetmi, që nuk bazohet te kontrata me llaf burri, që në fund të fundit, nuk ka asnjë fuqi ligjore. Një shembull edhe për klubet e Superiores.

Kontrata shtesë e klubit lushnjar, shembull në këtë drejtim. Gazeta Si, 23 qershor 2020

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë