Futboll

Kontrolle para rikthimit, tre pjesëtarë të klubit gjerman dalin pozitivë

Gjatë kontrolleve të programuara para rikthimit në fushë të Bundesligës, tre pjesëtarë të Këlnit kanë dalë pozitivë në testin e koronavirusit. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi gjerman, që shpjegon se që të tre janë asimptomatikë dhe se do të qëndrojnë në karantinë për dy javë.

Stërvitja në Gjermani mund të vazhdojë, duke zbatuar rregullat strikte të higjienës dhe duke bërë kontrollet e programuara. Në respekt të privatësisë, klubi i Këlnit nuk i ka bërë të ditur emrat e të infektuarve dhe nuk dihet nëse ata janë futbollistë, pjesëtarë të stafit apo të administratës. Ministri i Punës në Gjermani ka kërkuar që çdo lojtar të bëjë dy tamponë para se të nisë stërvitja e rregullt e ekipeve.

Këlni i sezonit 2019-2020. Gazeta Si, 1 maj 2020

Skuadra e Lajpcigut ndërkohë ka vendosur të qëndrojë për 10 ditë në karantinë, në pritje të vendimit për rifillimin e kampionatit. Kancelarja Merkel nuk u duk e bindur në mbledhjen e fundit me ministrat për t’i dhënë dritën jeshile futbollit dhe vendimi për rinisjen e kampionatit është shtyrë për të mërkurën. Në Gjermani është vendosur më parë që kampionati të vazhdojë edhe në rastin se një lojtar rezulton pozitiv. Në këtë rast, lojtari karantinohet, por jo ekipi i tij, kështu që gara vazhdon.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë