Bota

Koreja e Veriut kërcënon: Rrëzimi i një rakete testuese, do të ishte shpallje lufte!

Gazeta Si – Koreja e Veriut ka lëshuar një paralajmërim të ri për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj kryesorë rajonalë, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Për Phenianin, kapja dhe rrëzimi i një rakete nga Veriu gjatë një prej lëshimeve testuese të vendit drejt Paqësorit, do të përbënte “një deklaratë të qartë lufte”.

Paralajmërimi është i fundit në një seri të lëshuar përpara një stërvitjeje të madhe të përbashkët nga ushtritë e SHBA-së dhe Koresë së Jugut të planifikuar për të filluar javën e ardhshme.

Motra e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, Kim Yo Jong, ka kërcënuar me “pasoja të rënda” në përgjigje të programit të madh vjetor të stërvitjeve të përbashkëta që Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut do të ndërmarrin në ditët në vijim.

Pheniani – tha motra e liderit të Koresë së Veriut – po monitoron nga afër “aktivitetet e pandërprera ushtarake të forcave amerikane” dhe “ushtrisë kukull” të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut “është e gatshme të ndërmarrë veprime të përshtatshme, të shpejta dhe dërrmuese në çdo kohë, bazuar në vlerësimet tona”.

Në javët e fundit, Kim Yo-jong kishte kërcënuar tashmë se do ta kthente Oqeanin Paqësor në një “poligon qitjeje” në përgjigje të stërvitjeve të tjera të përbashkëta nga Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut.

Sipas shtypit të Koresë së Jugut, disa analistë kanë frikë se Veriu mund t’i përgjigjet manovrave të përbashkëta të ardhshme me provokime të reja, duke përfshirë një provë të pajisjeve të rihyrjes atmosferike për kokat bërthamore.

Falë “planit të zgjerimit të luftës” të SHBA-së dhe aleatëve të saj, “gadishulli Korean po kthehet në fuçinë më të madhe të barutit dhe në terrenin më të madh të stërvitjes ushtarake në botë”, thuhet në një shënim nga Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut, të publikuar më pas nga agjencia zyrtare shtetërore e lajmeve, KCNA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë