Gazeta Si – Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të re balistike, e dyta në më pak se 48 orë dhe një ditë pas stërvitjeve të përbashkëta midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, njoftoi shefi i përbashkët i shtabit në Seul.
“Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike të paspecifikuar drejt Detit Lindor”, tha ushtria e Koresë së Jugut, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve Yonhap, duke iu referuar zonës që njihet tashmë si Deti i Japonisë.
Edhe zyra e kryeministrit japonez shkroi në Tëitter se “Koreja e Veriut ka lëshuar një raketë të dyshuar balistike”.
Media shtetërore në Phenian konfirmoi se kishte gjuajtur dy predha nga një raketë e shumëfishtë, duke synuar objektivat përkatësisht 395 km (245 milje) dhe 337 km (209 milje) larg.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu “dënim të fortë” për lëshimin e ri të raketës nga Koreja e Veriut dhe i bëri thirrje Phenianit të ndalojë “veprimet provokuese”.
Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Jugut organizuan stërvitje të përbashkëta ajrore, duke përdorur një bombardues strategjik dhe avion luftarak të dielën në përgjigje të lëshimit të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) nga Koreja e Veriut një ditë më parë.
Japonia tha se raketa fluturoi për 66 minuta dhe u ul në Zonën e saj Ekskluzive Ekonomike (EEZ).
Koreja e Veriut tha më vonë se raketa e lëshuar të shtunën ishte një Hwasong-15 dhe ishte pjesë e një stërvitjeje “të befasishme” për të demonstruar aftësinë e Phenianit për të kryer një “kundërsulm bërthamor fatal”.
Motra e fuqishme e liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, kërcënoi sot me reagime kundër stërvitjeve të përbashkëta ushtarake mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.
“Përdorimi i Paqësorit si poligon zjarri, varet nga veprimet e forcave amerikane”, tha Kim Yo-jong, në një deklaratë të lëshuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA.
“Seria e veprimeve të Koresë së Veriut, duke përfshirë lëshimet e përsëritura të raketave balistike, kërcënojnë paqen dhe sigurinë e Japonisë, rajonit dhe komunitetit ndërkombëtar”, thanë drejtuesit e qeverisë në Tokio, të cilët protestuan ashpër, duke dënuar Korenë e Veriut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje