Bota

Koreja e Veriut rihap linjën telefonike me Jugun

Koreja e Veriut ka rihapur linjat e komunikimit me Korenë e Jugut, disa muaj pasi ndërpreu një linjë telefonike ndërkufitare.

Ky veprim vjen disa ditë pasi lideri i vendit komunist Kim Jong-un tha se ishte i gatshëm të rivendoste komunikimin me kusht.

Sidoqoftë, Pyongyang tha gjithashtu se rivendosja e marrëdhënies së tyre varej nga “qëndrimi i autoriteteve të Koresë së Jugut”.

Koreja e Veriut gjithashtu ka shtuar testet e saj ushtarake kohët e fundit.

Ajo ka lëshuar katër raketa në më pak se një muaj – një shenjë se nuk ka ndërmend të ngadalësojë zhvillimin e armëve.

Të hënën në mëngjes, ministria e unifikimit e Koresë së Jugut tha se zyrtarët nga të dy Koretë shkëmbyen thirrjen e tyre të parë telefonike që nga gushti.

“Me restaurimin e linjës së komunikimit Jug-Veri, qeveria vlerëson se është siguruar një bazë për rimëkëmbjen e marrëdhënieve ndër-koreane,” tha ministria në një deklaratë.

Linjat telefonike të komunikimit mes dy palëve janë ndërprerë – dhe restauruar – disa herë.

Në vitin 2020, pas një samiti të dështuar midis Veriut dhe Jugut, Pyongyang hodhi në erë një zyrë ndër-kufitare koreane që ishte ndërtuar për të përmirësuar komunikimet.

Në të njëjtin vit, Koreja e Veriut ndërpreu të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, duke përfshirë një linjë telefonike midis udhëheqësve dhe kanaleve të komunikimit ushtarak pasi tensionet u përkeqësuan.

Linja telefonike u rivendos shkurtimisht këtë gusht, por u ndërpre përsëri pasi Koreja e Jugut mori pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me SHBA.

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut janë teknikisht ende në luftë, sepse asnjë marrëveshje paqeje nuk u arrit kur përfundoi Lufta Koreane në 1953.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë