Bota

Koronavirusi, gati 3 milionë e gjysmë të vdekur në të gjithë botën

Pothuajse 3.5 milionë njerëz, për të qenë të saktë 3,469,640, kanë vdekur në botë nga koronavirusi që nga fillimi i pandemisë më shumë se një vit më parë. Kjo raportohet nga të dhënat që vijnë nga Universiteti Johns Hopkins në SHBA.

Rastet totale janë 167,117,164, ndërsa mbi 1 miliard e 670 milionë doza të vaksinës anti-Covid janë administruar deri tani.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krye të renditjes së vendeve me më shumë raste (33,143,246) dhe më shumë viktima (590,529), pasuar nga India (26,752,447 dhe 303,720), Brazili (16,120,756 dhe 449,858) dhe Franca (5,667,331 dhe 108,819).

Alarmi i OBSH-së për vaksinat

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u ankua se një “grup i vogël vendesh” po monopolizojnë vaksinat anti-Covid dhe kërkoi që “të paktën 10% e popullsisë së secilit shtet”, të vaksinohen deri në shtator.

Në fjalën hapëse të takimit vjetor të anëtarëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ghebreyesus bëri thirrje për “një shtytje masive për të vaksinuar të paktën 10% të popullsisë së secilit vend deri në vjeshtë. Mbi 75% e të gjitha vaksinave janë administruar në vetëm 10 vende”, – shtoi ai.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, theksoi se të paktën 115,000 punonjës shëndetësorë janë vdekur nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë.

“Për të paktën 18 muaj, punonjësit shëndetësorë në të gjithë botën kanë qëndruar midis jetës dhe vdekjes, – tha ai. – Shumë janë infektuar dhe ne vlerësojmë se të paktën 115,000 prej tyre kanë paguar çmimin më të lartë për t’u shërbyer të tjerëve”, – shtoi ai.

Dyshimet e Anthony Faucci-t për Covid 19

Anthony Faucci, Drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive në SHBA

Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Sëmundjeve Infektive dhe këshilltar i Shtëpisë së Bardhë për Covid 19, thotë se nuk është i bindur që koronavirusi është zhvilluar në mënyrë natyrale.

Kur u pyet nëse virusi ka origjinën natyrale, Fauci u përgjigj: “Nuk jam i bindur, mendoj se duhet të hetojmë se çfarë ka ndodhur në Kinë. Sigurisht që njerëzit që po hetojnë pretendojnë se emergjenca rrjedh nga një kafshë që ka infektuar individët, por mund të ketë qenë diçka tjetër dhe ne duhet ta zbulojmë. Kjo është arsyeja pse unë jam absolutisht pro një hetimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë