Politike

SHBA kërkon hetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vettingu

Ambasada amerikane në Tiranë ndan bindjen se gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga procesi i vettingut duhet të hetohen, gjykohen e dënohen nëse provohet se kanë shkelur ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.

Ky qëndrim është shprehur tërthorazi nga Ambasadorja Yuri Kim, e cila përmes rrjeteve sociale i ka dhënë “Pajtimin” një deklarate të kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Deri më tani asnjë prokuror dhe gjyqtar i shkarkuar nga vettingu nuk është marrë nën hetim, apo gjykuar.

Vetë ligji i vettingut nuk parashikon ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve që shkarkohen kryesisht për mosjustifikim të pasurisë, lidhje me botën e krimit, apo paaftësi profesionale.

E vetmja masë e parashikuar në këtë ligj është ndëshkimi administrativ duke u ndaluar kësaj kategorie që të punojnë për 15 vitet e ardhshme në sistemin e drejtësisë.

Ndërkohë, hetimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë ngecur në vetting kërkohet edhe nga Bashkimi Europian dhe e përforcuar edhe nga Holanda, si kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në kuadër të negociatave të anëtarësimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë