Ne rrjet

Kosova hap kufirin me Shqipërinë: S’ka më teste e karantinë

Pas bllokimit dhe radhës në kufi, Kosova ka hapur sot “pa kushte” kufirin për Shqipërinë. Qytetarët nga vendi ynë që hyjnë në territorin e Kosovës, nuk do të duhet që të vetë-izolohen për shtatë ditë apo të bëjnë tamponin.

Lajmi u bë i ditur sot nga ministri i ri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ky është vendimi i dytë i ndërmarrë nga qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti pas heqjes së reciprocitetit me Serbinë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në vend të testimit të detyruar për COVID-19, ata që do të hyjnë do t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore të vendosura në pikat kufitare apo edhe nga vetë QKMF-të nëpër komuna.

“Bazuar në situatën epidemiologjike, Ministria e Shëndetësisë do të mundësojë lëvizje të plotë të qarkullimit të qytetarët dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, ndërsa kemi adresuar edhe kërkesat e qytetarëve nga Lugina e Preshevës që edhe ndaj tyre të mos aplikohen masa që paraqesin pengesa për lëvizjen për në Kosovë”, tha ministri Zemaj.

Disa ditë më parë, Kosova dhe Shqipëria kanë hapur pas tre muajsh kufijtë për qytetarët, duke sjellë një radhë prej më shumë se dhjetë kilometrash, mes paqartësive për rregullat e lëvizjes.

Sipas një njoftimi të Policisë së Shtetit, të gjitha shqiptarët e Shqipërisë do të lejohen të hyjnë, por në qoftë se nuk posedojnë konfirmim zyrtar brenda një afati kohor prej 4 ditësh që janë “negativ” me Covid-19, atëherë duhet të plotësojnë formularin përkatës për vetëkarantinim për një periudhë 7-ditore. Ndërkohq, kamionët duhet t’i nënshtroheshin procesit të dezinfektimit para se të hyjnë në territorin e Kosovë, duke paguar një tarifë prej 22 eurosh.

Më vonë gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike të Kosovës ka njoftuar se ka pezulluar kontratën për dezinfektimin e mauneve në pikat kufitare, por vazhdoi të kërkonte tamponët, duke shtuar radhën në kufi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë