Futboll

Kosova përjashton portierin Muriç, ishte i dehur dhe ofendoi shokët e ekipit

Në prag të ndeshjeve të para kualifikuese të Botërorit ndaj Suedisë dhe Spanjës, atmosfera te Kosova është trazuar disi nga një episod i pakëndshëm. Federata e Futbollit të Kosovës, me një njoftim zyrtar, bëri të ditur se portieri Arijanet Muriç është përjashtuar nga grumbullimi për arsye disiplinore, por pa dhënë shpjegime se çfarë shkeljesh kishte bërë ai.

Arsyet është munduar t’i zbulojë shtypi kosovar dhe sipas “Koha.net”, Muriç ka shkuar në stërvitje në gjendje të dehur, madje e kishte të vështirë edhe të ruante ekuilibrin. Përveç kësaj, gjithmonë sipas “Koha.net”, portieri ka ofenduar shokët e ekipit dhe ka pasur një konfrontim fizik me Zhegrovën. Situata është rënduar dhe më pas ka ardhur menjëherë përjashtimi i Muriç nga grumbullimi.

Muriç, kur luante me Mançester Sitin. Gazeta Si, 23 mars 2021

Një sjellje aspak profesionale nga portieri 22-vjeçar që ka mbrojtur si titullar kuadratin e portës së Kosovës. Ky episod mund të ketë pasoja të rënda edhe për të ardhmen e tij. Muriç aktivizohet aktualisht me Vilhem II në kampionatin holandez. Kartonin e tij e ka Mançetser Siti, që e ka huazuar në Holandë deri në fund të sezonit.

Me përjashtimin e Muriç, portën e Kosovës mund ta mbrojë Visar Bekaj në ndeshjet e radhës. Portieri i Tiranës në kampionatin shqiptar ka shfaqur një formë të mirë përgjithësisht kohët e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë