Ishte një ndeshje pa gola ajo në “Anfield Road” mes Liverpulit dhe Bajernit, por rastet nuk munguan. Gjithashtu edhe polemikat, por këto të fundit më shumë pas ndeshjes dhe mes trajnerëve Klop dhe Kovaç. Episode që në Abgli nuk mund të kalojnë kurrë pa u vënë re. Tani Kovaç e di mirë si duhet të veprojë dhe me siguri në ndeshjen e kthimit do të jetë më i kujdesshëm ndaj kolegut Klop, sepse edukata është mbi të gjitha.
Disa ditë më parë ishte trajneri italian, Mauricio Sarri, i cili bëri një figurë të shëmtuar, kur nuk i dha dorën kolegut Pep Guardiola pas humbjes 6-0 ndaj Mançester Sitit. Trajneri katalanas gjithsesi nuk e dramatizoi situatën dhe u “ngushëllua”, duke takuar ndihmëstrajnerin e Çelsit, Xhanfranko Xolën. Edhe në “Anfield Road” shkak për polemikat është bërë pikërisht shtrëngimi i dorës. Pas vërshëllimës përfundimtare të ndeshjes, Niko Kovaç e la të priste disa minuta kolegun Jurgen Klop dhe ky i fundit nuk e priti aspak mirë këtë veprim. “Sun” shkruan se trajneri i Liverpulit u bë shumë nervoz fillimisht.

“Doja t’i shtrëngoja dorën Nikos menjëherë pas mbylljes së ndeshjes. Por ai më parë shkoi te futbollistët e tij. Kur erdhi tek unë, i thashë se po e prisja. Më kërkoi falje dhe i thashë se nuk kishte asnjë problem. Ishte një keqkuptim. Mbeta aty si bualli përballë malit”, – ka thënë për këtë episod trajneri Klop, duke përdorur një shprehje gjermane për situata të tilla. Këtë episod e ka komentuar pas ndeshjes edhe Kovaç, i cili doli i pamposhtur me Bajernin e tij nga fusha e Liverpulit. “Është normale në Angli, që të shtrëngosh duart pas ndeshjes. Por unë mendoj së pari për ekipin tim dhe Klop më kupton. Nuk doja aspak të isha i keq dhe i kërkova falje për atë gjest”, – tha Kovaç.
Polemikat janë mbyllur shpejt dhe tani të dy trajnerët mendojnë për sfidën e kthimit, që luhet më 13 mars në “Allianz Arena”. Në Gjermani shtrëngimi i dorës do të ketë më pak rëndësi se në Angli, ndërsa golat në atë ndeshje do të jenë shumë të rëndësishëm, sepse do të vendosin kualifikimin për në çerekfinale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje