Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shtyrë më 5 shkurt vendimin në lidhje me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prelën, ndërsa kjo ka qenë një ndër çështjet më të diskutuara ditët fundit pasi zonja Prela u vu në shënjestër të Partisë Demokratike. Lidhur me shtyrjen e seancës për drejtuesen e Krimeve të Rënda, në njoftimin e KPK-së thuhet se është bërë për shkaqe të arsyeshme, duke mos dhënë asnjë detaj shtesë.
“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, për shkaqe të arsyeshme, seanca e shpalljes së vendimit për subjektin e rivlerësimit, Znj. Donika Prela, me detyrë drejtuese e Prokurorisë së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, përcaktuar në datë 29.01.2019, ora 10:00, do të shtyhet për në datë 05.02.2019, ora 9:00. Kjo seancë do të mbahet në të njëjtën sallë në Pallatin e Kongreseve, në Tiranë”, thuhet në njoftimin e KPK-së.
Ndërkohë selia blu ka ngritur pikëpyetje këto ditë mbi dosjen e Prelës ku janë paraqitur të gjitha shkeljet që janë vërejtur në deklarimin e pasurisë. Së fundi ajo është akuzuar edhe se është pjesë e përgjimeve me kreun e bandës së Avdylajve në Shijak.
Në seancën dëgjimore të Prelës më 22 janar para KPK-së, ai që theu heshtjen ishte vëzhguesi ndërkombëtar i ONM-së, Theo Jacobs. Ky i fundit nuk kurseu paralelizmat kur shpjegoi se si ishte ndier pas leximit të deklaratave të pasurisë së prokurores.
“Jam i sigurt që ju ka rënë rasti të pini ilaçe në mëngjes. Ato të lënë një shije të keqe, aq sa nuk mund të shijosh dot kafen e mëngjesit. Shija largohet vetëm pas drekës”, u shpreh ai.
Ndërkohë, relatorja Xhensila Pine ka shtuar se Prela përmbush kriteret profesionale dhe pastërtinë e figurës dhe kjo i jep të drejtë për të vijuar detyrën. Drejtuesja e Krimeve të Rënda dhe e ardhmja e saj në raport me ushtrimin e detyrës do të përcaktohet pas pak ditësh, ku kriteret dhe problemet do të vihen në peshoren e vetingut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje