Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel partive politike që të respektojnë afatin për kandidaturat. Nëpërmjet zëdhënëses Drilona Hoxha, KQZ shprehet se duhet të dorëzohen brenda ditës së sotme kandidaturat për komisionerë të nivelit të dytë.
Sipas KQZ-së, mosrespektimi i afateve ligjore cenon procesin zgjedhor si dhe tregon një mungesë të qartë papërgjegjshmërie nga partitë politike.
“Data 18 mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ”, u shpreh zëdhënësja e KQZ-së.
Sipas KQZ-së, mosrespektimi i afateve ligjore cenon procesin zgjedhor si dhe tregon një mungesë të qartë papërgjegjshmërie nga partitë politike.
“KQZ kërkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor. Mosrespektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor.
KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cenimin e administrimit të procesit zgjedhor.
Administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave. Vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve”, tha ndër të tjera Hoxha.
Pas thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste ka dorëzuar të gjithë emrat e saj. Kështu, Partia Socialiste bëhet e para nga subjektet partiake, e cila respekton afatin kohor duke zbatuar thirrjen e bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërsa nuk dihet ende vendimi i opozitës së bashkuar.
Po ashtu edhe prezenca e OSBE-së në Shqipëri i bashkohet thirrjes së KQZ-së drejtuar partive politike për të propozuar komisionerë për Zonat e Administrimit Zgjedhor.
“Vonesat në propozimin e komisionerëve pengojnë trajnimin e tyre të rregullt dhe, si pasojë, vënë në rrezik zhvillimin e procesit zgjedhor në përputhje me standardet ndërkombëtare. Zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të ardhur në pushtet dhe partitë politike janë përgjegjëse për besueshmërinë e zgjedhjeve në sytë e zgjedhësve shqiptarë”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje