Politike

KQZ në vorbullën e përplasjeve brenda PD për Agron Kapllanaj

Për herë të dytë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë kërkesën e organit të akuzës “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm për subjektin vetëdeklarues z. Agron Faslli Kapllanaj, kandidat për deputet i propozuar nga Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim PD-AN”, qarku Fier”.

Një kërkesë e “çuditshme” që vjen pikërisht në momentin kur politika pritet të përfshihet në ethet e zgjedhjeve lokale të 14 majit. Kapllanaj ka qene ish-kryetar i Bashkisë së Mallakastrës dhe është i rreshtuar në krahun e mbështetësve të grupimit Basha dhe më atë të Alibeajt.

Vetë ai më parë pati deklaruar se do të kandidonte sërish për bashkinë e Mallakastrës dhe kjo shihet si një problem serioz për kampin tjetër të së djathtës që drejtohet nga Berisha, pasi gëzon mbështetje të madhe në zonë. Vetë Kapllanaj akuzohet nga ish-kryeminstri Sali Berisha si i lidhur me qeverinë socialiste dhe nga ky, sipas tij, ka përfituar dhe fonde shtetërore nga prokurimet publike. KQZ e ka shqyrtuar në vitin 2017, pikërisht përpara zgjedhjeve parlamentare ku ai ishte kandidat i PD-së për deputet. Në atë kohë prokuroria i tha KQZ-së se Agron Kapllanaj, me detyrë kryetar i Bashkisë Mallakastër, duhej të prekej nga Ligji i Dekriminalizimit dhe të humbiste mandatin.

Por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpëtoi Kapllanin duke thënë se dënimi i tij ishte penalizues, por nuk mund të aplikohej ndaj kryebashkiakut pasi kishin kaluar 10 vjet nga kryerja e veprës dhe ajo ishte rehabilituar. Sot, Sektori i Dekriminalizimit ka bërë një verifikim të thelluar dhe komunikim me shtetin italian për këtë çështje, ku rezulton se Agron Kapllanajt dënimi i është pezulluar me kusht.

Ai është dënuar në vitin 2004 nga një gjykatë në Firence me 2 vjet burg dhe 300 euro gjobë për veprën penale të vjedhjes, ndaj letrat e tij nuk dalin të pastra kur i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit. Pikërisht kjo “përndjekje” e tij duket se po ndiqet me interes nga grupi “Berisha” që kërkon ta heqë Kapllanajn si rival për zgjedhjet e ardhshme të 14 majit. Gjithsesi fati i tij u shty nga KQZ-së deri në një vendim të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë