Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rrëzuar kërkesën e 12 firmëtarëve për të realizuar referendum në Shqipëri nëse shqiptarët janë për ndryshimin sistemit. Edhe pse KQZ-ja ka kërkuar riformulimin e pyetjeve për referendumin anëtarët, nuk i ka bindur për të votuar pro 12 nismëtarëve. Pro kësaj kërkese kanë votuar vetëm dy anëtarët Klement Zguri dhe Rezarta Bitri, ndërsa tre anëtarët Denar Biba, Edlira Jorgaqi dhe Bledar Skënderi votuan kundër. Kështu kërkesa për të “Për fillimin e procedurave për referendum të përgjithshëm për çështje të rëndësisë së veçantë” nuk mori katër vota, por që nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba kundërshtoi qëndrimin e kryekomisionerit Zguri se ajo është rrëzuar. “Në bazë të Kodit të Procedurave Civile ne nuk e arritëm që ta miratojmë me minimumin katër vota pro, jo se e rrëzuam këtë kërkesën. Pra nuk kemi kuorumin e nevojshëm të votave”, deklaroi Biba. Por Zguri nga ana e tij ka cilësuar si pa kuptim një qëndrim i tillë, pasi me këtë votim u rrëzua edhe kërkesa.
Nënkryetari Biba ka vijuar me qëndrimin e tij, duke e krahasuar KQZ-në njësoj me Gjykatën Kushtetuese, institucion që nuk ka anëtarë për të marrë vendim. Por juristi Kristaq Kume, një nga 12 firmëtarët për referendumin kërkoi që të merret një vendim, pasi kështu nuk kanë edhe një mundësi ankimi. “Po e rrotulloni gjuhën siç ju intereson. E dinim që në fillim se çfarë do bënit. Ne nuk kemi mundësi as ta ankimojmë, pasi edhe vetë Kolegji Zgjedhor ka mbetur me katër anëtarë”, shtoi Kume. Pikërisht nga ky qëndrim, Biba sugjeroi grupin nismëtar që t’i drejtohen Gjykatës Administrative për të marrë një vendim, pasi KQZ-ja e ka të pamundur për të marrë një vendim, pasi nuk ka numrin e plotë të anëtarëve të saj. Praktikisht me vendosjen e këtyre barrierave, KQZ ka rrëzuar praktikisht kërkesën e 12 nismëtarëve për kryerjen e referendumit nëse duhet ose jo një sistem i ri zgjedhor. Tashmë për këtë çështje duhet të vendosin partitë politike që kanë mbi tryezë edhe propozimet e paraqitura nga ana e opozitës parlamentare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje