Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, ditën e sotme në një deklaratë për mediat ka paralajmëruar procedim penal ndaj atyre që lejojnë ndryshimin fiktiv të vendbanimit, duke përfshirë edhe kryetarët e bashkive dhe përgjegjësit e zyrës së gjendjes civile për zgjedhjet e 30 qershorit.
“Edhe krerët e bashkive dhe punonjësit e gjendjes civile që kryejnë akte të tilla do të akuzohen për shpërdorim detyre. KQZ do të kallëzojë penalisht çdo person që kryen shkelje, pa pritur përfundimin e procesit zgjedhor”, tha Zguri.
Ndër të tjera, Zguri tha se ky fenomen, i cili është vërejtur në zgjedhjet e kaluara, është lehtësisht i verifikueshëm dhe do të monitorohet.
“Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë mund të votojnë vetëm me vendim gjykate. Në proceset e mëparshme zgjedhore jo vetëm vëzhguesit, por edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konstatuar se në disa bashki të vendit është përhapur fenomeni i transferimit artificial të vendbanimit të mbështetësve të atyre që kandidojnë për kryetarë të bashkive, me qëllim ndikimin e paligjshëm mbi rezultatin e votimit, nëpërmjet votave të këtyre votuesve artificialë”, tha ndër të tjera Zguri.
Zguri i bëri thirrje Ramës dhe Bashës që të deklarohen kundër këtij fenomeni.
“Ndaj unë ftoj dhe lidershipin e mazhorancës dhe atë të opozitës të deklarohen publikisht kundër, me qëllim që t’i heqin çdo mbështetje politike fenomenit. Zgjedhjet e datës 30 qershor janë ushtrim shumë i rëndësishëm demokracie, por këtë radhë ato janë më shumë se kaq, janë gur prove për Shqipërinë në procesin e vet të integrimit në Bashkimin Europian”, u shpreh ai.
Ndërsa, zgjedhësve u bëri apel që të kontrollojnë emrin në listën e zgjedhësve.
“U bëjmë thirrje zgjedhësve që të kontrollojnë emrin në listën elektronike të zgjedhësve të kontrollojnë emrin në faqen zyrtare të internetit të KQZ.
Deri më 21 maj 2019 është e hapur mundësia për t’ju drejtuar gjendjes civile për të saktësuar të dhënat e tyre. Pas kësaj date listat bëhen përfundimtare. Zgjedhësit që nuk e kanë emrin në listë, mund të votojnë vetëm me vendim gjykate”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje