Me mbylljen e procesit të ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor dhe zgjedhjet e Edi Ramës dhe Monika Kryemadhit se cilin qark do të përfaqësojnë në Kuvendin e ri duke filluar prej 9 shtatorit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve iu hap rruga për të certifikuar rezultatin përfundimtar të 25 prillit.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve publikoi këtë të mërkurë vendimet për 12 qarqet e vendit me numrin përkatës të mandateve për secilën parti dhe listat emërore të tyre.
Në rang vendi, Partia Socialiste merr 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, Lëvizja Socialiste për Integrim 4 mandate dhe Partia Socialdemokrate 3 mandate.
Rama e Kryemadhi zgjodhën që të përfaqësojnë përkatësisht Durrësin dhe Fierin, ndërkohë që në këto lista mungonte emri i Tom Doshit, i dorëhequr pak pas daljes së rezultateve paraprake të zgjedhjeve ku PSD e drejtuar prej tij mori 2 mandate në Shkodër dhe një mandat në Tiranë.
Të panjohurat e vetme që mbesin është ajo e Gramoz Ruçit, i cili njoftoi dorëheqjen dhe largimin nga politika. Ai pritet që të zëvendësohet në Fier nga Mirela Pitushi, ndërsa tjetra është mundësia që ky vendim i Komisionerit Zgjedhor të apelohet në KAS. Këtë herë, apelimi nuk mund të bëhet mbi bazën e akuzave për manipulim të zgjedhjeve, por për çështje teknike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje