Gazeta Si – Shefat e policive të 43 kryeqyteteve evropiane, janë mbledhur në Tiranë këtë të mërkurë, në kuadër të konferencës për thellimin e bashkëpunimit për të rritur parametrat e sigurisë mes vendeve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, tha ndër të tjera se krimi i organizuar, trafikimet e jashtëligjshme dhe sulmet kibernetike që deri pak kohë më parë ishin të papërfillshme, janë kthyer në prioritet.
Sipas tij, sulmet kibernetike janë kthyer në një shqetësim madhor për shumë vende të botës.
“Krimi është sot më shumë se kurrë pa një trajtë të caktuar, i informuar dhe i përgatitur dhe e vetmja mënyrë është me anë të sigurimit të rendit, – tha kryepolici i vendit. – Për ta përmbushur efektivisht këtë mision, duhet të bashkërendojmë me njëri-tjetrin eksperiencat dhe idetë tona profesionale”.
Ministri Çuçi është shprehur më tej se Shqipëria e ka kaluar fazën kur vetëm shkëmbente informacione me partnerët për goditjen e grupeve kriminale, pasi sot është pjesëmarrëse aktive dhe me rol drejtues në Suadra të Përbashkëta Hetimore.

“Shqipëria është sot një vend që kontribuon në sigurinë e Europës edhe merr pjesë aktive në operacione të përbashkëta policore dhe në adresimin e sfidave të tjera që lidhen me sundimin e ligjit, rendit e sigurisë publike”, – deklaroi ministri i Brendshëm gjatë fjalës së mbajtur në Konferencën e Policive të Kryeqyteteve Europiane.
Më tej ai theksoi se Policia e Shtetit është sot një ndër institucionet më të besueshme në Shqipëri, e konfirmuar kjo edhe nga studime të vendeve tona partnere. Çuçi foli gjithashtu për modernizimin e Policisë së Shtetit.
Në fund, Çuçi kërkoi më shumë bashkërendim të punës për të goditur krimin e organizuar, i cili po bëhet gjithmonë e më shumë transnacional. E po kështu vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe krimit kibernetik sipas tij.
“Ne kemi nisur një etapë të re dhe të vështirë investimesh të mbrojtjes kibernetike. Ky është një proces i gjatë dhe ku natyrisht ekspertiza e lartë europiane nga vendet tuaja është e mirëpritur”, tha ministri i Brendshëm Çuçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje