Bota

Kreu i grupit ‘Wagner’ urdhëron mercenarët e tij: Nuk dua të burgosur, vritini të gjithë!

Gazeta Si – “Vritini të gjithë”. Këto janë fjalët e kreut të brigadës “Wagner”, Yvgeny Prigozhin, drejtuar mercenarëve të tij, duke u kërkuar atyre që të mos marrin më robër ukrainas.

Vendimi është marrë si reagim ndaj një videoje të postuar në rrjetet sociale, në të cilën një ushtar i plagosur “Wagner” shihet duke u ekzekutuar nga forcat e Kievit.

“Nuk e dimë emrin e të plagosurit tonë që u qëllua nga ukrainasit e mjerë. Por ne do të vrasim të gjithë ata që janë në fushën e betejës. Nuk do të marrim më të burgosur”, tha Prigozhin në një postim në Telegram të dielën.

Ditën kur forcat ruse do të marrin nën kontroll të gjithë qytetin e Bakhmut, “atë ditë do të fillojë kundërofensiva e Ukrainës”.

Duke qenë i bindur për këtë, Prigozhin, komentoi për situatën në terren, duke postuar deklarata në kanalin e tij Telegram. “Sa i përket masakrës së Bakhmutit, – shkruan Prigozhin, – detyra jonë është të masakrojmë ushtrinë ukrainase, jo t’u japim atyre mundësinë të mblidhen për një kundërsulm. Në këtë kuptim, ne po arrijmë sukses dhe unë u jap burrave të mi një vlerësim me pesë yje. Ndërsa vetë unë do të jepja vetes një tre minus, sepse duhej t’i therja më shumë armiqtë që të mos mbetej gjallë asnjë ushtar ukrainas. Por sapo të mbarojmë punë me Bakhmutin, sapo të përzënë nga qyteti ushtarin e fundit ose ta asgjësojmë, kundërofensiva ukrainase do të fillojë atë ditë”.

Sipas kreut të “Wagner”, në fakt Zelenski ka nevojë për “fitoren më të madhe”. Sa i përket arsyeve pse kundërofensiva ukrainase nuk ka filluar ende, Prigozhin përmend motin e keq dhe gatishmërinë e Zelenskit për t’u përqendruar në rezistencën ndaj Bakhmutit të paktën deri më 9 maj për të “prishur festën” për rusët në përvjetorin e fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Prigozhin përfundon me një homazh për vetë Zelenskin, duke thënë se, “pa marrë parasysh sa kritikohet”, ai po vepron “në një mënyrë shumë profesionale”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë