Gazeta Si – Presidenti Bajram Begaj i kthen ligjin e parë qeverisë që pas marrjes së detyrës. Bëhet fjalë për ligjin e dekoratave.
Në dekretin e kthyer, kreu i shtetit e cilëson ligjin e qeverisë si marrje të kompetencave të presidentit.
“Është e qartë se në këtë rast kemi të bëjmë me një kompetencë kushtetuese të Presidentit të Republikës, i cili në kuptim të Kushtetutës, është një institucion i pavarur kushtetues, me ligj rregullohet mënyra e dhënies së dekoratave dhe titujve të nderit, pasi është e qartë se cili është organi që i jep ato.

Gjykata Kushtetuese ka cilësuar në jurisprudencën e saj, lidhur me statusin dhe pozicionin e institucioneve/organeve të pavarura kushtetuese se: “Kjo pavarësi nuk është thjesht një privilegj i tyre, por një prerogativë e vërtetë dhe e domosdoshme, e cila u jep më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe efikasitet organeve dhe institucioneve kushtetuese në ushtrimin e detyrave të tyre”, – shkruhet në argumentet e kthimit.
Në frymën e Kushtetutës, ligji në këtë rast, sipas presidentit, mund të përcaktojë dhe detajojë çështje procedurale apo teknike të procesit të dekorimit në rastin e kompetencës së ushtruar nga Presidenti i Republikës, por nuk mund të futet deri në përcaktime dhe detaje, që deformojnë apo ngushtojnë thelbësisht këtë kompetencë kushtetuese.
Krijimi i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përbëhet nga organet drejtuese, Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve dhe kompetencat e përcaktuara për këtë strukturë kolegjiale vendimmarrëse shtetërore, i heqin një pjesë të rëndësishme të kompetencës kushtetuese në vetvete Presidentit të Republikës.
Dhënia e dekoratës me dekret nga Presidenti nuk mund të konsiderohet një akt përmbyllës i procedurës përkatëse dhe një veprim thjesht honorifik/simbolik për Kreun e Shtetit. Dhënia e dekoratës duhet konsideruar si një akt përmbyllës i një procesi vlerësimi, që i takon paraprakisht dhe vetëm Presidentit të Republikës.
“Ligji i miratuar nga Kuvendi, vjen në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, në kuptim të nenit 7 dhe nenit 92/ç, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Përderisa neni 92, gërma “ç”, e Kushtetutës, përcakton dhënien e dekoratave dhe titujve të nderit si një kompetencë kushtetuese të Presidentit, kjo kompetencë është pjesë e objektit qendror të veprimtarisë së tij”, – thuhet më tej në argumentet e kreut të shtetit.
Gjithashtu, theksohet se me këtë nismë të re të qeverisë konstatohet edhe një ngushtim të kompetencës kushtetuese të Presidentit për dhënien e dekoratave, nëse analizojmë me kujdes përmbajtjen e neneve të projektligjit “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, – thuhet në pretendimet e presidentit për kthimin e ligjit.
Disa ditë më parë kryeministri Edi Rama pati një takim në presidencë me kreun e shtetit Bajram Begaj. Në këtë takim Rama bëri të ditur se u fol për ambasadorët e rinj, Këshillin e Sigurimit, si dhe për objektivat e qeverisë për vitin 2023.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje