Bota

Kriza e emigrantëve në kufi, shtetet perëndimore dënojnë Bjellorusinë

Vendet perëndimore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dënuan Bjellorusinë për krizën kufitare me Poloninë. Estonia, Franca, Irlanda, Norvegjia, SHBA dhe Britania e Madhe, kanë dënuar “shfrytëzimin e orkestruar të qenieve njerëzore” me qëllim “destabilizimin e kufirit të jashtëm të Bashkimit Europian”.

Presidenti i Bjellorusisë, Lukashenko, e kishte kërcënuar BE-në me ndërprerje të furnizimit me gaz në rast të sanksioneve të reja.

Objektivi i Bjellorusisë, nënvizuan vendet perëndimore, është gjithashtu ai i “destabilizimit të kombeve fqinje” dhe “tërheqjes së vëmendjes nga shkeljet në rritje të të drejtave të njeriut”.

Situata, “tregon sesi regjimi i Aleksandër Lukashenkos është bërë një kërcënim për stabilitetin rajonal, – shtuan ata. – Ne kërkojmë nga autoritetet bjelloruse që t’u japin fund këtyre veprimeve çnjerëzore dhe të mos rrezikojnë jetët e njerëzve”.

Ndërkohë, lideri autoritar bjellorus Lukashenko, të enjten lëshoi ​​një paralajmërim të ri kundër BE-së, duke kërcënuar vendet e bllokut për ndalimin e kalimit të gazit nëpër tubacione.

“Ne ofrojmë ngrohje për Evropën, por ata kërcënojnë të mbyllin kufirin. Po sikur të bllokojmë gazin natyror atje?”, – tha ai, duke vënë në dukje se Minsku do t’i përgjigjet sanksioneve të reja që vijnë nga Brukseli.

I menjëhershëm erdhi edhe qëndrimi i Rusisë, e cila u mbrojt para OKB-së, duke deklaruar se nuk po i ndihmon emigrantët të grumbullojnë kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë.

Këtë e bëri të ditur zëvendës-ambasadori rus në OKB, Dmitry Polyanskiy: “Jo, absolutisht jo”, tha ai për ndihmën e mundshme për migrantët gjatë takimit urgjent me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit.

Dhe mbi lëvizjet e avionë luftarakë në qiejt e Bjellorusisë, Polyanskiy shpjegoi se ishte një “përgjigje ndaj vendosjes masive” të rojeve të armatosura polake në kufi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë