Bota

Kriza e urisë pushton Afganistanin, nëna shet një nga binjakët e sapolindur

Një nënë afgane është detyruar të shesë një nga binjakët e saj të porsalindur, në këmbim të parave të cilat më pas, i ka përdorur për të blerë ushqim për binjakun e mbetur dhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Gruaja 40-vjeçare, nga provinca veriore e Jawzjan-it, ia shiti foshnjën një çifti pa fëmijë, në këmbim të vetëm 104 dollarëve, të cilat ajo shpresonte se do t’i mjaftonin për të blerë ushqim për të paktën gjashtë muajt në vazhdim.

Nëna ka rrëfyer se kishte planifikuar t’i mbante të dy fëmijët, por varfëria e skajshme e ka detyruar atë që të merrte të vendim drastik dhe të dhimbshëm.

Aktualisht, Afganistani po kalon një krizë urie, e cila sa vjen e përkeqësohet, duke e vënë popullin para një sfide të rëndë.

OKB ka paralajmëruar se më shumë se gjysma e popullsisë së Afganistanit do të përballet me urinë këtë dimër, problem i cili nisi pas largimit nga vendi të një sërë organizatash bamirëse, kohë kur talebanët rimorën kontrollin në vend.

Duke folur me punonjësit e bamirësisë, nëna afgane shpjegoi se kishte lindur binjakët – një djalë dhe një vajzë – rreth katër ose pesë muaj më parë, pak pasi lanë fermën e tyre për shkak të thatësirës.

E ulur në një dhomë të zhveshur të mbuluar me qilima të dhuruara nga një xhami lokale, gruaja shpjegoi se të gjitha rrobat e fëmijëve janë të përdorura dhe të dhuruara nga vendasit.

Fillimisht ajo kishte planifikuar t’i mbante të dy fëmijët, por mezi ishte në gjendje të merrte ushqim të mjaftueshëm qoftë edhe për njërin prej tyre – zakonisht bukë dhe ndonjëherë qumësht pluhur.

Burri i saj, 45 vjeç, punon si punëtor, por thotë se ka vetëm punë të mjaftueshme për një ditë pune në pesë – dhe pagat e ditës, rreth 1 dollarë, janë të mjaftueshme për vetëm dy ditë ushqim.

Djali i dytë i madh punon gjithashtu në tregun aty pranë, tha nëna, duke shtyrë karrocat që pronarët e tezgave i përdorin për të transportuar prodhimet e tyre.

Por për shkak se ai është i ri, pronarët shpesh preferojnë të përdorin fëmijë më të fortë dhe shpesh ngelet pa punë.

Me foshnjat e reja që qajnë vazhdimisht nga uria, gruaja thotë se një çift pa fëmijë iu afrua asaj dhe i ofruan 104 dollarë për të marrë djalin e saj të porsalindur.

Fillimisht ajo refuzoi, por pas disa ditësh që e pa djalin duke qarë pa asgjë për të ngrënë – ajo vendosi se dhënia e tij ishte alternativa më e mirë për të siguruar për të dhe për fëmijët e saj të mbetur.

“Ishte e vështirë. Më e vështirë se sa mund ta imagjinoni. E dhashë fëmijën për shkak të varfërisë… Nuk isha në gjendje të kujdesesha për të dhe nuk mund të përballoja asgjë.

Të gjitha paratë ia dhashë burrit tim. Ai bleu pak oriz, vaj dhe miell. Ne i kemi përfunduar tashmë ato.”

Burri i saj shtoi: “Ne kemi nevojë për ndihmë, jemi të uritur dhe të varfër. Nuk ka mundësi pune në Afganistan. Ne kemi fëmijë. Ne kemi nevojë më shumë për miell dhe vaj, të cilat nuk i kemi. Na duhen dru zjarri.

Save the Children vlerëson se 3.2 milionë të rinj afganë do të përballen me kequshqyerjen akut përpara fundit të dimrit.

Nora Hassanien, ushtruese e detyrës së Drejtoreshës Vendore në Afganistan, tha: “Është absolutisht e trishtueshme që disa familje afgane po shtyhen në masa të tilla ekstreme dhe të dëshpëruara për të mbijetuar dhe ushqyer fëmijët e tjerë.”

Save the Children po u bën thirrje qeverive të bëjnë përjashtime urgjente ndaj politikave ekzistuese kundër terrorit dhe sanksioneve, për të lejuar dërgimin e shpejtë dhe të pandërprerë të ndihmave humanitare që shpëtojnë jetë.

Burimi:Daily Mail/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë