Politike

Kriza politike, Moisiu: Meta të ndërhyjë. Meidani: Palët të ulen

Ish-presidentët e Republikës, Alfred Moisiu dhe Rexhep Mejdani, kanë folur për krizën politike në vend, pas djegies së mandateve parlamentare nga opozita e bashkuar.
Ish-presidenti Moisiu, i pyetur nga gazetarët për rolin që duhet të luajë Ilir Meta si president i vendit për të zgjidhur ngërçin politik, tha se Meta duhet të ndërhyjë, pasi kështu nuk mund të ecet përpara.

“Mendoj se presidenti aktual, Ilir Meta, duhet të ndërhyjë. Kështu nuk mund të ecet përpara. Se si e bën ndërhyrjen dhe tenton ta zgjidhë ngërçin politik, këtë e di presidenti Meta. Klasa politike duhet të ndërgjegjësohet”, tha ndër të tjera Alfred Moisiu, ish-president i vendit.

Ndërsa, ish-presidenti Meidani, lidhur me djegien e mandateve parlamentare, tha se një vendim i tillë është një veprim “in extremis”.

“Teorikisht jam pro për t’u mbledhur kjo klasë politike dhe për ta diskutuar zgjidhjen e krizës. Mirëpo, praktikisht kjo varet nga klasa politike. Ndërsa, për djegien e mandateve nga opozita, mendoj se është vendim in-extremis. Nuk duhet futur fitili në zjarr”, tha ish-presidenti Meidani.

Sa i përket daljes nga kjo situatë, ish-presidenti u shpreh se palët duhet të ulen.
“Zgjidhja është në tavolinë. Palët duhet të ulen”, u shpreh ish-kreu i shtetit shqiptar, Meidani.

Pas djegies së mandateve, opozita e bashkuar vijon me protestat para godinës së parlamentit, sa herë ka seancë plenare, ndërkohë ka njoftuar për një protestë masive më 13 prill, për të cilën kryedemokrati Lulzim Basha u ka kërkuar ish-deputetëve dhe Kryesisë që të intensifikojnë takimet me qytetarët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë