Futboll

Krizë sulmuesish, Mançini mendon për veteranin e Sampdorias

Moment magjik për sulmuesin e Sampdorias, Fabio Kualiarela. Goli i shënuar në ndeshjen e së shtunës ndaj Empolit të Frederik Veselit ishte i dhjeti për këtë futbollist në kampionat. Ishte një gol i veçantë për sulmuesin 35-vjeçar, që shënon në shtatë ndeshje radhazi, duke i mrekulluar të gjithë dhe duke u mbyllur gojën kritikëve, të cilët e konsideronin të mbaruar në fillim të sezonit.

Veterani i Sampdorias, “trashëgimi e UNESCO-s”, siç e ka quajtur trajneri Marko Xhampaolo, nuk ka ndërmend të ndalet. Lojtari i fundit italian që kishte shënuar në shtatë ndeshje radhazi, ishte Antonio Di Natale, një tjetër sulmues, që ashtu si vera, përmirësohej vit pas vitit. Në stadiumin e Empolit ishte i pranishëm edhe trajneri i Italisë, Roberto Mançini, i cili ka vëzhguar të gjithë futbollistët italianë në fushë. Dhe mes tyre edhe Fabio Kualiarelën, pavarësisht moshës së tij.

Sulmuesit italianë po vuajnë shumë kohët e fundit për të gjetur golat dhe me siguri trajneri Mançini, duke parë formën e shkëlqyer të lojtarit të Sampdorias, do të ketë në listë për eliminatoret e Europianit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë