Gazeta Si – Këshilli i BE-së njoftoi se Kroacia do të hyjë në zonën Shengen duke filluar nga 1 janari 2023. Vendimi erdhi gjatë një takimi të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian.
Është hera e parë që zona Shengen është rritur për më shumë se një dekadë, ndërsa Bullgaria dhe Rumania mbeten ende jashtë. Për dy vendet e Ballkanit, ministrat nuk kanë gjetur një marrëveshje, pasi hasën në kundërshtimin e Austrisë dhe Holandës.
“Urime Kroacisë”, komentoi Ylva Johansson, Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme, e cila shtoi: “Bullgarisë dhe Rumanisë i them: ju meritoni të bashkoheni, keni mbështetje të fortë nga pothuajse të gjitha shtetet anëtare dhe nga Komisioni. Jam e bindur se ne do të arrijmë hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në këtë legjislaturë dhe do të jetë prioriteti im që kjo të ndodhë”.
Kancelari austriak, Karl Nehammer, ka thënë të martën se Qeveria e tij është e gatshme të pranojë Kroacinë, mirëpo është kundër pranimit të Rumanisë dhe Bullgarisë për shkak të shqetësimeve për migrimin.
Parlamenti i Holandës e ka miratuar një rezolutë në muajin tetor, duke thënë se nevojitet analizë më e thuktë për funksionimin e rendit dhe ligjit, por edhe nivelin e luftimit të korrupsionit në Bullgari dhe Rumani.
Përpjekjet e Bullgarisë dhe Rumanisë për të hyrë në këtë zonë, janë bllokuar për më shumë se një dekadë, prej kur Komisioni ka vlerësuar se këto dy vende janë të gatshme për anëtarësim.
Vendet anëtare duhet të miratojnë në mënyrë unanime pranimin e një shteti të ri.
Zona Schengen – me 26 vende anëtare – nënkupton pezullim të kontrolleve kufitare mes vendeve anëtare dhe u mundëson qytetarëve të udhëtojnë, punojnë dhe jetojnë në një shtet tjetër anëtar, pa pasur nevojë për viza apo leje tjera shtesë.
Bullgaria, Rumania, Kroacia, Irlanda dhe Qiproja, janë vendet e vetme të BE-së që nuk janë pjesë e zonës Schengen.
Në anën tjetër, Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajni, nuk janë vende të BE-së, por janë anëtare të zonës Schengen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje