Kroacia ka propozuar përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Bashkimit Europian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor si mjetin e duhur për të luftuar influencën ruse në rajon dhe garantuar paqen dhe stabilitetin.
Përmes një deklarate, Presidenti kroat, Zoran Milanoviç, pasi mbështeti dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, kërkoi që i njëjti status t’i jepet edhe Bosnjes e Kosovës, ndërsa me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të nisin pa vonesë negociatat e anëtarësimit, ndërsa me Malin e Zi të përmbyllen sa më parë.
Milanoviç shprehu qëndrimin e tij se duhet bërë gjithçka për të parandaluar përhapjen e krizës në Ballkanin Perëndimor dhe për të shmangur çdo kërcënim të mundshëm në kufijtë e BE.
“Është në interesin strategjik dhe kombëtar të Kroacisë që vendet e Europës Juglindore, të cilat kanë deklaruar dhe dëshmuar synimin dhe gatishmërinë e tyre për t’u anëtarësuar në BE, të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në deklaratën e Presidencës kroate.
Prandaj, vijon deklarata, Presidenti kroat ka propozuar nismëtarëve të letrës së hapur që të kërkohet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE si për Bosnjen, ashtu edhe për Republikën e Kosovës dhe që BE-ja pas premtimeve të përsëritura të fillojë menjëherë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në këtë listë, Presidenti kroat lë jashtë Serbinë. Ai thotë se më parë, Beogradi duhet të qartësohet dhe të heqë dorë nga mbështetja e dhënë për Rusinë. “BE-ja duhet t’i bëjë të ditur Serbisë se tani është momenti i vendimit”, deklaron Presidenti kroat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje