Politike

Kryemadhi: 3 mandate në Berat! LSI-në e përfaqësojnë ata që e krijuan, jo shfrytëzuesit

Monika Kryemadhi përforcoi objektivin e LSI-së për tre mandate në Qarkun e Beratit, një mandat më shumë nga sa mori në zgjedhjet e 2017-ës. Kryetarja e LSI-së ishte këtë të shtunë në qytetin e Skraparit për të prezantuar kandidatët e kësaj force politike.

Kandidatëve dhe strukturave të partisë u kërkoi përqëndrim maksimal për 25 prillin.

“Në mënyrë që ta përfaqësojmë LSI-në denjësisht në Qarkun e Beratit. Unë jam optimiste dhe numrat e tregojnë që mundësitë tona për të marrë tre mandate janë plotësisht të realizueshme. E vetmja gjë që është shumë e rëndësishme është kontakti me njerëzit, takimi me ta, bashkëbisedimi me ta. Vetë përfaqësimi që ne kemi zgjedhur për Qarkun e Beratit, na e kanë krijuar mundësinë në kontaktet me njerëzit”, tha ajo.

Kryemadhi ceku edhe çështjen e largimeve nga radhët e partisë, që në Qarkun e Beratit janë raportuar sa të bujshme, aq edhe masive, përfshirë këtu edhe figura si Nasip Naço.

“Sot LSI-në në Skrapar e përfaqësojnë ata që e krijuan, jo ata që e përdorën ose e shfrytëzuan dhe kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse memoria, historia, kontributet janë ata që e mbajnë një forcë politike në këmbë dhe një parti politike ekziston edhe për shkak të karakterit, për shkak të vlerave që përfaqëson, për shkak të angazhimeve që secili nga ne merr përsipër”, vijoi kryetarja e LSI-së.

Në fund, Kryemadhi kërkoi votën e qytetarëve si një mundësi për të ndryshuar gjendjen në të cilën ata ndodhen, duke premtuar më shumë punësim dhe mirëqënie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë