Politike

Kryemadhi: Afera e inceneratorëve s’mund të jetë vepra e një individi, por skema korruptive më e madhe në historinë e Shqipërisë

Me një reagim në Facebook, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama pas reagimit të tij mbi arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka për aferën e inceneratorëve. Kryemadhi shkruan se pas 24 orësh, i erdhi zëri dhe reagoi Rama duke e quajtur përgjegjësi individuale aferën e inceneratorëve.

Sipas saj kjo aferë nuk është e vetëm një individi, por skema më e madhe korruptive në historinë e një vendi.

“Vlerësimi, kontrata dhe kthim përgjigje i 10 Ministrive brenda ditës, apo miratimi i VKM korruptive për miratim kontrate për një ditë, nuk ndodh as në shtetin më demokratik dhe funksional perëndimor, e jo më në shtetin e 2-të në botë për perceptimin më të lartë të korrupsionit. Nuk ka VKM që miraton miliona euro brenda dite pa OK e Ramës”, shkruan Kryemadhi duke shtuar se institucionet duhet të zbardhin përgjegjësitë e plota të gjithë zyrtarëve publikë, subjekteve private dhe individëve pjesmarrës në këtë aferë dhe përballjen e tyre me forcën e ligjit.

Ajo përmend edhe se faktet e pakundërshtueshme i ka dorëzuar në SPAK, “mjafton ti lexosh dhe kupton qartë lojën, aktorët dhe rrjedhën logjike të gjithë aferës. Kjo është sprova më e madhe për drejtësisë e re, e cila ka mundësinë të luftojë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës të kupolës së Lartë Qeveritare”, shkruan Kryemadhi.

Kryemadhi e mbyll postimin e saj me pyetjen: kush do të mbajë përgjegjësi për 430 milionë euro të firmosura nga duart e gjata të Ramës?”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë