Ashtu siç kishte paralajmëruar, Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi u shfaq këtë të shtunë në Vlorë në krah të Luan Ramës, kandidati që drejton listën e kësaj force politike në këtë qark.
Dalja e të dyve bashkë përkon me aludimet e shumta këto kohë se kishte një krisje mes Luan Ramës dhe LSI nisur edhe nga disa qëndrime të nënkuptuara të Presidentit Ilir Meta, faktit se nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili nuk e përmendte në asnjë takim të Vlorës apo edhe mungesës së një qëndrimi të fortë të Luan Ramës (ndryshe nga vija e LSI) ndaj Damian Gjiknurit kundërshtari i tyre politik në zgjedhjet e Vlorës.
“…Shqipëria është shtëpia juaj, shtëpia është shtëpia jonë. Jam njëri nga 12 emrat, i barabartë mes të barabartëve në listën e kandidatëve të LSI…Na kanë sulmuar, na kanë përgojuar, janë përpjekur të na poshtërojnë e përçajnë por nuk ia kanë dalë dhe nuk do ia dalin sepse LSI nuk është parti emrash, është parti zemrash”, tha Luan Rama
Ndërsa Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi u shpreh nga Vlora se mundësia është e madhe që LSI të marrë më shumë se tre mandate në këtë qark. Mjafton, sipas saj, që vlonjatët ta ndajnë mendjen se duan ndryshim.
“Luani tha që do shkojmë 3 deputetë në Vlorë, por po ta ndajnë vlonjatët mendjen mirë jo 3 mandate por edhe forcë e parë shkojmë se Vlora ka vuajtur më shumë nga banda e Astirit dhe banda e Rilindjes”, tha ajo.
Ndryshe nga Luan Rama, Monika Kryemadhi përmendi emra konkret.
“Ju jap fjalën që s’do i ndahem bajlozit të Rilindjes që është në grahmat e fundit, që shkatërroi çdo vlerë socialiste, por as dyshes së balerinave të bandës së Astirit Afrim Qendros e Damian Gjiknurit.
Jua bëj të qartë që metodën e blerjes së votave që bënte Afrim Qendro kur ishte drejtor në ndërmarrjet e bashkisë së Tiranës nuk e implementon dot në Vlorë se djemtë e vajzat nuk shesin identitetin e tyre emrin, të ardhmen e fëmijëve të tyre për të mbuluar bandën e vjedhjet e Astirit”, tha Kryemadhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje