Nga Konventa Kombëtare e LSI, Monika Kryemadhi ka kërkuar që të gjithë të ngrihen dhe të protestojnë për të mbrojtur interesin kombëtar dhe jo atë partiak. Kryemadhi vlerësoi fillimisht rolin e studentëve, pasi ata, sipas saj, ndezën përgjegjësinë publike dhe shpresën për të ardhmen me protestat e tyre. Ajo u shpreh se studentët janë fëmijët e shqiptarëve dhe jo anëtarë partish.
“Dua të bëj sqaroj se studentët që protestojnë nuk janë anëtarë të partive politike, janë fëmijët e shqiptarëve dhe është detyrimi ynë moral të kujdesemi për ta. Studentët ndezën përgjegjësinë publike, që duhet të ketë çdo qytetar. Morëm një mësim të mirë nga ata, një mësim që zgjoi revoltën brenda nesh. I kemi mbaruar detyrimet politike dhe tani kemi detyrime kombëtare. Në Fier duhet të mbrojmë naftëtarët, në Bulqizë duhet të mbrojmë minatorët. Duhet të ngrihemi për biznesin e vogël dhe të mesëm, për mjekët, infermierët dhe pensionistët që marrin lëmoshë. Vendi po kalon një nga momentet më të vështira, prandaj duhet të harrojmë idealin politik”, tha Kryemadhi.
Sipas saj, e vetmja ideologji, që duhet të qarkullojë në gjithë klasën politike, jo vetëm në LSI, është Shqipëria. “Shqipëria është shtëpia, atdheu dhe familja jonë. Duhet të kujdesemi si për shtëpinë tonë. Të përkrahim studentët që na dhanë dinjitet, shpresë dhe mbi të gjitha besimin se të bashkuar do të fitojmë patriotikisht. Sot është në diskutim çështja e vendit. Duhet të sakrifikojmë çdo gjë, edhe jetën për të ardhmen e sigurt të fëmijëve. Shqipërisë iu premtuan 300 mijë vende pune, por pamë mbi 400 mijë shqiptarë të larguar, mijëra biznese të mbyllura, lot nënash që nuk ushqejnë dot fëmijët. Projekti i Unazës së Re është aferë korruptive, por nga më të voglat. Do të ulej borxhi publik, por nuk u bë. Do të rriteshin pagat, por ato u ulën. Kemi luftën kundër narkotikëve, ku 2.4% e shqiptarëve janë përdorues të kokainës,” – u shpreh Kryemadhi në fjalën e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje