Bota

Kryeministrja finlandeze bën testin e drogës pas skandalit të festës

Kryeministrja e Finlandës tha të premten, më 19 gusht, se ajo kishte bërë një test droge dhe përsëriti se nuk kishte marrë kurrë narkotikë, pasi një video e festës së 36-vjeçares shkaktoi kritika.

Videoja e zbuluar, e cila tregon Sanna Marin duke kërcyer dhe festuar me një grup miqsh dhe të famshëm, është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale dhe mediat lokale. Disa i kanë interpretuar komentet e spektatorëve të dëgjuar në video si referencë për lëndë narkotike, diçka e debatuar shumë në rrjetet sociale dhe e mohuar fuqishëm nga kryeministri.

“Për të pastruar çdo dyshim, sot kam bërë një test droge”, u tha ajo gazetarëve në rezidencën e saj. Rezultatet do të jenë gati brenda një jave dhe do të ndahen me mediat sapo të jenë gati, tha ajo.

Kryeministrja Marin ka thënë më parë se ajo “po kalonte një mbrëmje me miqtë” dhe se videot “u filmuan në ambiente private”.

Ajo pranoi se kishte pirë alkool. Përveç mohimit të marrjes së drogës, ajo tha se nuk ishte dëshmitare e përdorimit të drogës nga asnjë pjesëmarrës.

“Asnjëherë në jetën time, as në rininë time, nuk kam përdorur ndonjë drogë”, tha ajo të premten. Sjellja e saj në video megjithatë është kritikuar nga disa si e papërshtatshme për një kryeministre, ndërsa të tjerë kanë mbrojtur të drejtën e saj për të shijuar një event privat me miqtë.

Pjesa më e madhe e kritikave janë përqendruar rreth faktit se ajo ishte në detyrë si kryeministre në atë kohë. Pyetjet janë ngritur nëse ajo do të kishte qenë në gjendje të merrte vendime të shëndosha në rast të një krize të papritur.

“Kapaciteti im për të funksionuar ishte i mirë. Nuk prisja të kisha ndonjë takim,” tha ajo.

Zonja Marin ka mbështetjen e partisë së saj, ku Antti Lindtman, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, u tha mediave se “nuk mund të shohë ndonjë problem të madh me kërcimin në një event privat me miqtë”.

Zonja Marin – e cila u emërua në vitin 2019 në moshën 34-vjeçare – ka qenë më parë objektiv i kritikave për festat në rezidencën e saj zyrtare. Në dhjetor 2021, ajo u kritikua vazhdimisht pasi u zbulua se ajo qëndroi jashtë duke kërcyer deri në orët e para, pavarësisht se ishte ekspozuar ndaj Covid-19.

Një sondazh i porositur nga kanali televiziv finlandez MTV3 në atë kohë zbuloi se dy të tretat e të anketuarve mendonin se nata e saj ishte një “gabim serioz”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë