Politike

Kryesia e PD drejt vendimmarrjes së rëndësishme për firmat e delegatëve dhe vetë Berishën

Partia Demokratike mbledh për herë të parë qysh prej konstituimit kryesinë të hënën mbasdite.      

“Në mbështetje të pikës 4, të nenit 45 të Statutit të PDSH, nesër, datë 15.11.2021, ora 16:00, do të zhvillohet mbledhja e Kryesisë së Partisë, me rend dite: ‘Diskutime dhe vendimmarrje mbi situatën politike, si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e Partisë Demokratike dhe funksionimin demokratik të organeve të saj’.

Mbledhja do të zhvillohet në sallën e mbledhjeve të Grupit, kati i II, selia qendrore e PDSH-së”, thuhet në njoftimin që Gazment Bardhi, u ka shpërndarë anëtarëve të kryesisë.

Nisur edhe nga objekti i diskutimit kryesia e PD-së pritet të jetë sot ndër mbledhjet me të rëndësishme që janë mbajtur nisur nga ngjarjet që po shoqërojnë sot këtë forcë politike.

Burime nga kryesia thanë për Gazetasi.al se temë e diskutimit kryesor do të jenë firmat e depozituara pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar në datë 11 dhjetor.

Gazment Bardhi është shprehur prej kohësh se në selinë blu nuk ka zyrtarisht asnjë firmë duke iu referuar rregullores së brendshme se firmat e delegatëve duhet të dorëzohen pranë zyrës së protokollit të partisë dhe prej andej të marrin udhe përmes një procesi të parashikuar në statutin e partisë.

Ky do të jetë edhe qëndrimi që do të mbahet në kryesinë e PD-së, ndërsa pritet një kundërshti e fortë e atyre që sot mbështesin Sali Berishën që sipas një llogaritje të thjesht janë rreth 10 anëtarë të kryesisë.

Prej kohësh disa prej tyre apo ata që sot mbështesin Berishën janë shprehur se në rastin e mbajtjes së një Kuvendi të Jashtëzakonshëm nga vete delegatët, Kuvendi vetmblidhet dhe firmat verifikohen vetëm ditën e mbajtjes së organit më të lartë të partisë.

Sipas të gjitha gjasave, Lulzim Basha që ka edhe numrin më të madh të mbështetjes në kryesi nuk do të njohin firmat e depozituara tek Paloka e për pasojë as Kuvendin Kombëtar të paralajmëruar me 11 dhjetor.

Por jo vetëm. Burime nga kryesia e PD-së thanë se pjesës e vendimit mund të jetë edhe vete Berisha për të kaluar ndaj tij në një masë më ekstreme sesa ajo e pezullimit për mandatin e PD-së. Anëtarët e kryesisë nuk e përjashtojnë mundësinë që në këtë mbledhje të hidhet edhe diskutimi për përjashtimin e Berishës, megjithatë nuk ka ende një qëndrim të qartë në këtë drejtim dhe gjithçka pritet të formalizohet apo qartësohet vetëm gjatë mbledhjes së mbasdites.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë