Qysh prej zgjedhjeve të 6 marsit kryesia mbi tre orëshe e PD-së e dominuar nga njerëzit mbështetës të Lulzim Bashës vendosi dy piketa të rëndësishme; Së pari i kërkoi Komisionit të Rithemelimit që të ndërpresë zgjedhjet në bazë duke e konsideruar atë një proces të njëanshëm dhe së dyti; për herë të parë njohu zyrtarisht palën tjetër atë që përfaqësohet nga Berisha kur vendosi që të ngrihet një grup pune për të negociuar me të.
Mbledhja disa orëshe
Për të kuptuar se si do të shkonte mbledhja e kryesisë së PD-së, mjafton t’i hidhnim një sy përbërjes së saj, dhe atyre që kanë mbetur pas një sërë dorëheqjesh.
Në mbledhjen e kryesisë së PD-së munguan Lulzim Basha i dorëhequr, dy nënkryetarët po të dorëhequr Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma të kooptuar më parë si anëtarë kryesie në bazë të statutit.
Mungonte gjithashtu Flutura Acka edhe ajo e dorëhequr nga një detyre partiake dhe Lindita Metaliaj që ka shpallur po ashtu dorëheqjen si anëtare e kryesisë së PD-së, pas zgjedhjeve të 6 marsit.
Ata që dominuan mbledhjen e kryesisë së PD-së ishin sekretarët e mbetur të emëruar nga Lulzim Basha që e kanë mbështetur para dhe pas zgjedhjeve të 6 marsit si dhe një pjesë e anëtarëve të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar të propozuar nga Basha.
Në mbledhje nuk munguan as zërat kritike ata të paktët si Helidon Bushati që dha dorëheqjen nga drejtuesi i Shkodrës pak para zgjedhjeve te 6 marsit, Ervin Salianji, Xhelal Mziu e Tomor Alizoti.
“Bashkimi do të duhet të jetë kryefjala jonë, jo vetëm në retorike por edhe me akte konkrete. Partia Demokratike e ka jetike rikthimin në një debat konstruktiv në një bashkëpunim të të gjithë flukseve.
Si sinjal të parë unë propozoj dhe do dëshiroja që t’i kthehet normaliteti godines, ta zhveshim nga fortifikimi si sinjal të parë të rikthimit në normalitet.
Vetëm e bashkuar do të mund të jemi të fortë dhe garues. Nuk kemi asnjë minutë kohë për të humbur, zgjedhjet janë shumë afër. Prandaj të gjithë ne do duhet të japim kontribut për bashkimin e kësaj force politike, do duhet të tregojmë pjekuri” tha Helidon Bushati gjatë mbledhjes.
“Je familje e madhe shkodrane. S’të shkon të vish me propozime për heqje dyersh…” reagoi Jemin Gjana.
“Mos u merr me derën time, se të kthej përgjigje mirë, por je në moshë. Ti thuaj s’jam dakord me Helidonin, por mos më përmend derën e madhe…”, iu përgjigj Bushati
Ndërkohë, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj hodhi propozimin e parë.
“Patëm mbledhje me sekretariatin e partisë për të diskutuar në lidhje me situatën në parti. Se pari, për nesër kemi paraqitur mocion me debat. Është nga shenjat e luftës opozitare. Një nga drejtimet ku duhet të ecë partia, është lufta opozitare në parlament e sinqertë dhe e plotë. Së dyti, kemi situatën tonë ku jemi. Për qëndrimin e mëtejshëm. pesha për secilin është e madhe. Por duhet që të gjithë bashkë të mendojmë se cilat duhet të jenë hapat, të matur, të sigurt”, tha ai.
Jemin Gjana, mbështetës i Lulzim Bashës ka folur në kryesi, njëjtë si cdo herë tjetër.
“Flasim për bashkim, ndërsa ata na thonë ju kemi shkarkuar. Nuk mund të ketë bashkim real, bashkim formal mbase edhe mund të ketë”, është shprehur Gjana.
Më tej ai ka pyetur: “Qëndrimi im përfundimtar në këtë mbledhje është ky, t’u kthehemi qëndrimeve të mëparshme të 9 shtatorit, 18 dhjetorit, 8 janarit. T’i mbajmë ose t’i rrëzojmë. Pastaj të shohim a shkohet në negociata. Nëse gjithmonë, gjënë e vendosim ne këtu dhe nuk ka skenarë të tjerë”.
“Jo. Nuk ka asnjë lloj skenari”, është përgjigjur Alibeaj.
Por Xhelal Maziu që ka ndryshuar anë që pas zgjedhjeve të 6 marsit kërkoi nevojën e një bashkimi real duke nënvizuar se nëse shkohet me qëndrimin që zgjedhjet për kryetarin të mbahen në 2023-in atëherë rezultati do të ishte shumë më i rëndë,
“Jemi në një situatë jo të mirë, por në kohë të volitshme për t’i paraprirë zgjedhjeve të 2023. Rezultati i datës 6 mars foli për shumicë në anën tjetër. As ne as ata nuk bëjmë dot pa njëri tjetrin. Nëse kryejmë zgjedhjet 2023 në eforizëm, do te ishte vrastare për PD. Duhet të gjejmë mënyrën për t’u bashkuar. Nuk e gjykojmë që data 30 prill është zgjidhje. Nuk është normale që të bëjmë karshillëk njëri tjetrit. Ne kemi potencialin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje. Zgjidhja gjendet duke pasur një komision të përbashkët. Foltorja ka nisur organizimin në të gjitha degët. Nëse vazhdojmë kështu, do të vazhdojmë të mbetemi pa përfaqësues dhe pastaj na rroftë sigla e PD. Pra ky grup i përbashkët të garantojmë që nuk ka vend për triumfalizëm”, është shprehur Mziu.
Ervin Salianji një tjetër anëtar kryesie i zgjedhur që ka ndryshuar qëndrim ndaj Lulzim Bashës pas zgjedhjeve të 6 marsit u shpreh: “Të ndërtojmë një grup dhe zgjidhje që e bën bashkimin funksional për të gjithë ku të gjithë mund të përfaqësohen si ngjyrime.
Duhet thërritur Këshilli Kombëtar që të japë legjitimitetin formal”, iu drejtua Salianji, Alibeajt qe eshte komanduar si kryetar i PD, pa vendimin e Keshillit Kombetar.
“Të hiqen dyert e hekurit, të tregojmë me simbolike hapjen e partisë”, tha më tej Salianji.
“Dyert janë të hapura”, iu përgjigj Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
“Dyert e hekurit qe as nuk preken me dorë ta shpifin, t’i heqim”, reagoi më tej Salianji, që ka sjellë një tjetër reagim të Bardhit.
“Së pari lidhur me blindimin e PD-së, dyert janë të hapura, dhe janë çështje e administratës. S’ia vlen te merremi në kryesi me ketë. Së dyti për zgjedhjet e vitit 2023. Eshtë propozuar me idenë qe do pranohej nga të dy palët, duke bërë zgjedhje të bashkuar. Jam dakord edhe unë qe te dalim me mesazh për bashkimin”.
Anëtari tjetër i kryesisë, Tomor Alizoti tha: “Duhet shfuqizuar çdo përjashtim i demokratëve, përfshirë edhe Berishën.
Duhet të ndodhë zhblindimi i dyerve. Bashkimi i demokratëve bëhet jo me retorikë, por me akte. Të hapet sa më shpejt gara, askush të mos jetë i përjashtuar”
Në fund të mbledhjes që zgjati mbi 3 orë, zyra e shtypit e PD-se serviri një vendim me tre pika.
“1. Kryesia e Partisë apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të rishikojë pozicionin e deritanishëm përçarës mes demokratëve. Nga përçarja dhe konflikti i brendshëm mes demokratëve dëmtohet Partia Demokratike dhe përfiton vetëm regjimi i Edi Ramës.
2. Kryesia e Partisë bën thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të çdo iniciative dhe procesi të njëanshëm, që është duke u kryer në bazën e partisë, sepse përbëjnë akte përçarëse mes demokratëve. Kjo do të konsiderohej si shprehje vullneti për fillimin e procesit të bashkimit.
3. Kryesia e Partisë shpall vullnetin e saj për të bërë gjithçka në funksion të bashkimit dhe fton zyrtarisht në bisedime kolegët e palës tjetër. Për këtë qëllim krijohet një grup pune me pjesëmarrjen e anëtarëve të Kryesisë, Grupit Parlamentar dhe Kolegjit të Kryetarëve, duke ftuar që pjesë e këtij grupi pune t’i bashkohen në numër të barabartë edhe përfaqësues të kolegëve të palës tjetër. Për konkretizimin e kësaj formule ngarkohet Kryetari i komanduar i PDSH:”, thuhet në vendimin e kryesisë.
Alibeaj pas kryesise
Edhe kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj përcolli një deklaratë ku dominonte thirrja për bashkëpunim.
“Besoj që ju e patë vendimin e grupit, që do të doja ta falenderoja për sensin e përgjegjshmërisë. Kjo është një shenjë tjetër e ngritjes së nivelit të përgjegjësisë. Me këtë sens përgjegjësie një nga synimet e kërkuara prej kaq kohësh nga demokratët është bashkimi. Bashkimi për të mirën e demokratëve duke lëshuar dhe hequr dorë nga gjuha e urrejtjes si mënyra e vetme për të bashkuar demokratët.
Unë besoj që ky është çelësi i moralit, me mirëkuptim dhe të arrijmë këtë që kërkojnë demokratët. Është një hap i mirë për të shkuar drejt bashkimit”, u shpreh Alibeaj.
I pyetur për grupin e punës, Alibeaj tha: “Është ngarkuar kryetari i partisë, i komanduar që në këtë rast jam unë që do të caktojë emrat. Presim sinjalin e parë të kësaj rruge. Është gjithçka e qartë në grupin parlamentar dhe vendimin e kryesisë. Cdo dozë skepticizmi besoj ka kaluar”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje