Politike

Kryetari i PD në Lushnjë: Trau nuk do të vendoset në Divjakë, dëmtohen qytetarët

Gazeta Si – Kryetari i Partisë Demokratike në Lushnjë, Eduard Sharka ka thënë se trau me pagesë në parkun e Divjakës nuk do të lejohet të vendoset, sepse dëmtohen qytetarët dhe zona humb turistët.

Pas përplasjes së kësaj të enjteje me policinë për largimin e objektit, Sharka tha se protesta ishte një mosbindje civile nga ana e qytetarëve.

“Aktualisht situata është e qetë, protestuesit po qëndrojnë, por dhe policia. Aktualisht rruga është e hapur, – tha Sharka. – Nuk mundet që një urdhër administrativ të bllokojë një rrugë nacionale, pasi prek shumë interesat e banorëve të Divjakës dhe atyre që kalojnë në këtë rrugë. Në këto kushte, kur urdhri administrativ del kundër vullnetit të qytetarëve, deputetëve dhe Bashkisë Divjakë, ne menduam që ishte e nevojshme një gjest i mosbindjes civile”.

Sharka shton se i kanë kërkuar policisë vendosjen e traut dhe kabins, por sipas tij, ata vendosën “ta mbrojnë me trupa sikur të ishte një objekt i rëndësisë së veçantë”.

Zyrtari i PD përsëriti edhe një herë se banorët janë kundër vendosjes së traut, sepse “janë ata që dëmtohen më shumë, çdo qytetar që do të vijë me pagesë, bizneset e zonës do të humbin klientët e tyre. Zona humb shumë turistë”, shtoi Sharka.

Ndërsa deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi, në një postim në rrjetet sociale ka mbajtur një qëndrim të ashpër: “Plerë pushteti, që nuk ngopet duke i pirë gjakun shtetasve shqiptarë, po mundohet t’i vendosë traun e të taksojë kalimin në pyllin dhe plazhin e Divjakës. Në këtë shtet ka ngelur vetëm të taksojnë ajrin se dhe shkuarjen në banjë me lekë e kanë bërë”, – shkroi Korreshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë