Punonjësja e policisë që mbeti e plagosur nga një kapsollë gjatë protestës së 22 nëntorit të banorëve të Astirit para godinës së Kuvendit u kthye në Tiranë.
Ina Nuka mbërriti në Rinas rreth orës 21:30 të mbrëmjes së kaluar pas trajtimit mjekësor të specializuar në Ankara të Turqisë dhe ndërhyrjes që i bëri të mundur rikthimin e gishtit të këputur.
Ajo u prit nga Zv/ministrja e Brendshme, Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë, Gjovalin Loka, Zv/drejtori për Rendin në DVP Tiranë, Dhimitraq Ziu, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, kolegë, miq e të afërm.
Gjatë një prononcimi për median, Ina Nuka ka falënderuar të gjithë ata që janë solidarizuar dhe e kanë mbështetur.
“Mirënjohje e falënderim për gjithë shqiptarët që me mesazhet e tyre u solidarizuan dhe më mbështetën, ndjehem e përulur përpara tyre. Falënderoj Kryeministrin e vendit, që bëri të mundur dërgimin tim në Turqi për ndërhyrje krirugjikale shumë të specializuar, Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për inkurajimin dhe mbështetjen që më dhanë, kolegët dhe cilindo që u bë pjesë e dhimbjes sime.
Falënderim i veçantë për mjekët e spitalit në Ankara, të cilët kryen tre operacione për të rikuperuar dëmtimin e madh të gishtave të dorës, si dhe qeverinë turke dhe ambasadorin e Shqipërisë në Turqi”, shprehet policja Nuka.
Pavarësisht kësaj që i ndodhi, ajo thotë se nuk do të heq dorë kurrë nga Policia.
“Kurrë s’do heq dorë nga Policia, pasi jam privuar nga shumë gjëra të tjera për të realizuar ëndrrën time, të jem pjesë e Policisë së Shtetit”, tha Nuka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje