Lajme

Kthimi i ligjit për Kadastrën, Lame: Penalizohen qytetarët

Pas mosdekretimit nga presidenti Meta të ligjit për Kadastrën, ka reaguar kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame.
Në një deklaratë për mediat, Lame u shpreh se kjo dëmton shumë qytetarë që presin të regjistrojnë pronat e tyre dhe i ka numëruar presidentit Meta, institucionet e rëndësishme në vend që janë pa certifikatë pronësie, përfshirë dhe Presidencën dhe Kryeministrisë. “Presidenti i Republikës nuk dekretoi dhe ktheu për rishqyrtim ligjin për Kadastrën. Zoti Ilir Meta është sot President i Republikës, por godina e Presidencës e ndërtuar në 1959-ën, edhe sot e gjithë ditën nuk ka certifikatë pronësie. Përpara kësaj Ilir Meta ka qenë kryetar i Kuvendit, por edhe salla ku mblidhet Kuvendi nuk ka certifikatë pronësie. Ca më parë akoma Meta ka qenë ministër i Jashtëm, por edhe Ministria e Jashtme nuk ka certifikatë pronësie. Meta ka qenë edhe kryeministër, por edhe godina e Kryeministrisë nuk ka certifikatë pronësie”, u shpreh Lame.
Lame sqaroi më tej se mosdekretimi i këtij ligji penalizon shqiptarët, pasi janë 60 mijë familje që presin legalizimet dhe 40 mijë fermerë që presin të regjistrojnë tokën.
“Si t’ua shpjegojmë hallin e presidentit 60 mijë familjeve që presin të mbyllin legalizimet? Si t’ua shpjegojmë këtë hall 220 mijë fermerëve që presin të regjistrojnë tokën? Si t’ua shpjegojmë 50 mijë familjeve që presin të ligjërojnë banesat e vjetra? Apo si t’u themi 2 mln e 800 mijë pronave që presin të rimaten nga themeli sepse janë lëmsh. Kthimi i ligjit të kadastrës penalizon çdo shqiptar që ka një çerek shekulli që gjen belanë me pronën”, vijoi më tej Lame.
Më tej, Lame sqaroi arsyetimin e presidentit, pasi me këtë ligj, Kadastra do të kapet nga kryeministri.
“Jo vetëm kryeministri i sotëm, por asnjëri nga 34 kryeministrat e vendit nuk e kanë idenë si lexohet regjistri i pronave. Kështu që nuk kanë ç’e duan. Ligji e thotë qartë, regjistri i pronave është në administrim të Ministrisë së Drejtësisë, si deri më sot. Ndërsa, agjencia e Kadastrës do të jetë në varësi të kryeministrit, në mënyrë që ky t’i tërheqë veshin drejtorit të Kadastrës për mbarëvajtjen e punës së këtij institucioni që do të jetë themeli i reformës së pronës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë