Kurrë më parë në 58 vite pjesëmarrje të klubeve tona në Kupat e Europës nuk kishte ndodhur që të katërta skuadrat shqiptare pjesëmarrëse ta kalonin turin e parë eliminator. Kualifikimi i Tiranës, Kukësit, Teutës dhe Laçit është një arritje historike për futbollin shqiptar, një shenjë e mirë për të ardhmen. Skuadrat tona kanë eliminuar kundërshtarë me traditë në Europë dhe kjo nuk është rastësi. Ndoshta formula me tek ndeshje i ka ndihmuar dhe me pak fat në short, këto skuadra mund të shkojnë larg në Europë këtë herë.
E nisi Tirana me kualifikimin në Ligën e Kampionëve në fushën e Dinamo Tbilisit dhe dje e pasuan rrugën e saj edhe tri skuadrat që merrnin pjesë në Ligën e Europës. Kampionët u eliminuan nga Crvena Zvezda në turin e dytë, ku bënë një paraqitje shumë të mirë, ndërsa tani edhe Tirana merr pjesë në Ligën e Europës, sipas formulës së kompeticioneve europiane të UEFA-s.

Teuta mposhti 2-0 Beitar Jerusalem të Izraelit, Kukësi mundi 2-1 bullgarët e Sllavias së Sofjes, kurse Laçi eliminoi me penallti Keshlan në Azerbajxhan. Niveli që kanë shfaqur skuadrat tona ka qenë më i mirë në raport me kundërshtarin dhe kualifikimi ka qenë i merituar. Shifrat janë kokëforta dhe flasin qartë. Në 4 ndeshjet e turit të parë eliminator, 4 skuadrat tona kanë pësuar në total 1 gol (vetëm Kukësi) dhe kanë shënuar në total 6 gola. Vetëm Laçi nuk mundi të shënonte në 120 minuta lojë. Rezultatet e kësaj vere kanë qenë vërtet të rralla për skuadrën tona në Europë, duke bërë krenarë tifozët, por edhe drejtuesit e FSHF-së.
Presidenti Armand Duka i ka përgëzuar publikisht njëra pas tjetrës kualifikimet e 4 skuadrave tona. Në postimin e tij të fundit në faqen zyrtare ai shkruan: “Europa League foli shqip! Në të gjithë kuptimin e plotë të fjalës. Një super mbrëmje për skuadrat shqiptare! Pas kualifikimit të Teutës më herët gjatë ditës, vjen edhe suksesi i KF Laçit në transfertën azere si edhe triumfi i Kukësit ndaj Slavia Sofjes. Është fantastike, më bukur se kaq nuk kishte ku të shkonte!
Asgjë nuk vjen nga rastësia, ky është një sukses që vjen si shpërblim për punën e mirë dhe të palodhur që klubet shqiptare kanë bërë në vazhdimësi. Krenar për kualifikimin e tre klubeve shqiptare në turin tjetër të Europa League, krenar për futbollin shqiptar! Urimet më të mira edhe për Laçin edhe për Kukësin. Suksese të mëtejshme në Europa League. Faleminderit për emocionet që na dhuruat! Sot ishte një Shqipëri futbolli. Një Shqipëri që shkëlqen. Shqipëri që jep shpresë….”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje