Kukësi ka mbyllur çështjen e trajnerit të ri, duke zgjedhur një italian, 45-vjeçarin Diego Longo, i cili së fundi ka qenë ndihmës i të mirënjohurit Mirçea Luçesku te Dinamo e Kievit. Longo më parë ka qenë asistent edhe i stafit të kombëtares rumune.

“Futboll Klub Kukësi njofton se Diego Longo është zyrtarisht trajneri i ri i skuadrës. Ai vjen tek ekipi ynë pas një aventure të gjatë si asistent në disa klube të njohura në Europë, por edhe në kombëtaren e Rumanisë. Tekniku 45-vjeçar ishte së fundmi ndihmës i Mirçea Luçeskut në klubin e Dinamos së Kievit. Longo ka firmosur kontratën me ekipin tonë dhe së bashku me të ka firmosur edhe asistenti Amadeo Di Late, ish-portier i Sampdorias dhe Livornos”, – shkruhet në njoftimin zyrtar të Kukësit për trajnerin e ri.
Italianët janë bërë tashmë modë në futbollin shqiptar. Vitet e fundit kanë qenë gjithmonë edhe më të shumtë trajnerët nga vendi fqinj, sidomos te klubi i Partizanit, që vazhdimisht ka pasur italianë në stol. Sezonin e fundit ishte ish-juventini Fabricio Kamarata, që drejtoi Dinamon filimisht dhe më pas Apoloninë në Superiore.
Merkatoja e verës ndërkohë vazhdon me ritme të larta thuajse nga të gjitha skuadrat. Tirana ka bërë sot një përforcim në sulm, duke afruar Redon Xhixhën, lojtarin që sezonet e fundit ka qenë pjesë e Laçit. Edhe më parë klubi bardheblu ka bërë disa përforcime, ku veçohet ai i Vesel Limajt, ish-mesfushorit të Kukësit.
Besir Demiri, i grumbulluar më parë edhe me Kombëtaren, ka lënë Kukësin dhe ka firmosur me Dinamon, një nga skuadrat më aktive në merkato. Blutë kanë zyrtarizuar edhe maqedonasit Siljanovski dhe Isaevski, Enis Gavazajn dhe malazesin Sofranak. Trajneri pret të tjera goditje, një nga të cilat mund të jetë ai e Agim Ibraimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje