Futboll

Kukësit s’i del e keqja, kërkon dënimin e Asanit dhe tifozëve të Partizanit

Barazimi me Partizanin në stadiumin “Loro Boriçi” ka prerë përfundimisht shpresat e Kukësit për titullin kampion. Pas ndeshjes, presidenti i ekipit verior, Safet Gjici, pasi fajësoi mbrojtësin Ardian Cuculi për penalltinë e shkaktuar, akuzoi Jasir Asanin për mënyrën aspak profesionale të festimit të golit. Lojtari i Partizanit hoqi fanellën dhe iu drejtua tribunës qendrore, duke bërë gjestin e heshtjes. Në prononcimin pas ndeshjes, Asani tha se ai gjest ishte për të treguar se kujt i mbajnë gjunjët, duke iu referuar një deklarate të Gjicit javë më parë, ku ai thoshte se të kuqve nuk do t’u mbanin gjunjët gjatë.

Një ditë pas ndeshjes, klubi i Kukësit ka reaguar me një deklaratë zyrtare, ku kërkon dënimin e futbollistit të Partizanit, por edhe të tifozëve të këtij ekipi për fyerjet në kor ndaj presidentit Safet Gjici. “Kukësi dënon ashpër gjestet anti-sportive të manifestuara gjatë ndeshjes në “Loro Boriçi”. Tifozëria e Partizanit u soll në mënyrë të pakulturuar dhe anti-sportive gjatë ndeshjes. Gjithë publiku shqiptar pa dhe dëgjoi ulërimat dhe sharjet në grup të tifozërisë së Partizanit ndaj presidentit të Kukësit, z.Safet Gjici. Klubi i Kukësit, si pritës, pagoi 5 milionë lekë për zhvillimin e ndeshjes në “Loro Boriçi” dhe vendosi çmime të njëjta bilete për të dy tifozëritë. Tifozët e Partizanit shanë në kor presidentin e Kukësit dhe hodhën kartëmonedha të modifikuara me foton e tij, duke cënuar imazhin e tij.

Nga ndeshja Kukësi-Partizani, 1-1

Lojtari që shënoi golin e barazimit për Partizanin u soll në mënyrë të pakulturuar, duke hequr bluzën dhe duke iu drejtuar në mënyrë fyese me gisht presidentit të klubit organizator. Ndaj tifozëve, stafit dhe lojtarëve të Partizanit nuk pati asnjë fyerje nga klubi ynë apo tifozët kuksianë, ndaj kërkojmë që Komisioni i Disiplinës të marrë masa për dënimin këtyre veprimeve të shëmtuara. I bëjmë thirrje dhe opinionit publik të distancohet dhe të ndëshkojë rastet e lartpërmendura”, – shkruhet në deklaratën e klubit kuksian.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë