Politike

Kulla pas Teatrit dhe debati që nuk ka aspak lidhje me Tiranën

“Lëvizja Bashkë” ishte partia e vetme opozitare që organizoi të dielën një  protestë kundër kullës së re që do të ndërtohet në Tiranë, pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Ne foto: Arlind Qori duke protestuar te dielen per kullen qe do te ngrihet pas Teatrit te Operas

Ndryshe nga herët e tjera zërat zyrtarë të Partisë Demokratike drejtuar nga Sali Berisha munguan në fundjavë.

Kësaj here jo për procesin e ndjekur, sa duket i rregullt nga ana ligjore (askush nuk e ka kontestuar deri më tash, edhe pse hap diskutim burimi i të ardhurave për ndërtimin ) por për një tjetër debat, se po ndërtohet edhe një kullë tjetër në mes të Tiranës duke i humbur asaj më shumë identitetin, duke sjellë më pak hapësirë publike, më pak parqe, më shumë ndotje mjedisore e beton

I vetmi që reagoi mjegullt në fundjavë nga pala e Berishës pa specifikuar kullën, por vetëm vendin ku do të ndërtohet ishte Belind Këlliçi.

“10 muaj më parë kur denoncova shkatërrimin e lulishtes së fundit në Tiranë, shumëkush nuk e mori seriozisht.

Nga sot, zyrtarisht fëmijët dhe nënat e shumta që frekuentonin këtë lulishte, nuk do ta kenë më as ishullin e fundit të gjelbër brenda perimetrit urban të Tiranës.

Erion Veliaj ky armik i qytetit tonë, ky hajdut i taksave dhe hapësirave tona publike, shumë shpejt do duhet të dalë përpara drejtësisë”, komentoi Këlliçi nga faqja e tij zyrtare në Facebook dhe jo nga PD-ja.

Ndërkohë media që anojnë nga mazhoranca por edhe zëra që kanë punuar dikur në media të financiara nga opozita kanë aluduar përmes komentesh se heshtja e Sali Berishës lidhet me faktin se aksionerë të kullës së lartë mbi 200 metra që do ngrihet pas Teatrit (tek vendi që dikur njihej si gropa e Ajdin Sejdisë) janë njerëz të lidhur me Berishën, apo më saktë me djalin e tij Shkëlzenin.

“…Për t’i dhënë një përgjigje kujtdo që ka ngelur ne grepin e shpifjes së radhës po i bej një sfidë publike Edi Ramës që të revokojë lejen e ndërtimit, ose të pranojë në heshtje se pas saj njëlloj si për qindra leje të tjera janë pazaret që ai firmos paf paf paf e fap fap fap bash si për vjedhjen e inceneratorëve!

Sigurisht që ai nuk do bëjë asgjë, pasi në thelb gjithë zhurma e shpifjes nuk ka për qëllim prishjen e pazareve të Ramës, por largimin e vëmendjes nga skandali i inceneratorëve për të cilin ai dhe Veliaj në ndryshim nga skandali i Kullës, rrezikojnë burgun! Sidoqoftë sfida mbetet e hapur … revoko lejen ose haje me “nder”!”, reagoi të hënën Shkëlzën Berisha

Jo vetëm nga mazhoranca por edhe pala tjetër në PD ka pasur aludime në adresë të Berishës dhe familjes së tij duke filluar nga Lulzim Basha,  i cili brenda 24 orësh nuk ka reshtur së denoncuari ndërtimin e kësaj kulle.   

“Ky zhvillim nuk është oferta e duhur për pronën, por kurthi ngritur nga ortakët bashkëfajtorë që qëllimisht këtë situatë e konsiderojnë zhvillim. Një qytet i tillë nuk ofron asgjë veç flluskave dhe piramidave ekonomike ku në fund do humbasin qytetarët ndërsa bashkëfajtorët do përpiqen të justifikohen se kështu qe sistemi!

Pikërisht këtë sistem mbrojti mazhoranca socialiste dy javë më parë në parlament duke rrëzuar propozimet ligjore që prezantova. Një grup ndryshimesh që do të frenonin investimet e ortakëve bashkëfajtorë në kulla të tilla me fonde të dyshimta. E rrëzuan sepse kërkojnë që askush mos ketë përgjegjësinë të kontrollojë fondet e atyre që ndërtojnë… ”, komentoi Basha.

Por as Basha nuk i shpëtoi debatit me karakter politik, kur faturoi më vonë (në të njëjtë ditë) një qëndrim të dytë përmes mbështetëses së tij, deputetes së PD-së, Oriola Pampuri.

“Kryeqyteti që nuk i ka mbetur me asgjë nga historia e tij, e nuk ka mbetur me asgjë nga fëmijëria jone, pasi ata që ulërasin nga mëngjesi deri në darke duke bërë herë viktimën, herë të fortin, herë shpifësin e herë shantazhuesin e kanë përdorur çdo cep të Tiranës si qokë, për të mbijetuar sa më gjatë në pushtet dhe në politikë.

Drejtësia, SPAK të hetojnë, e të nxjerrin të vërteta, të paktën me fakte të ndricohet mendja e ndokujt që mendon që kjo klasë politikanësh të korruptuar mendokërka për Shqipërinë, shqiptarët dhe të ardhmen e këtij vendi”, komentoi  Pampuri

Njoftimi per protesten nga Levizja “Bashke”

Përpos debateve në distancë pa brum, aludimeve për përfshirje pazaresh, e deri reagimesh në formë sfidash, ai që foli shkoqur e pa doreza (sa kohë i shkon për shtat profilit që kërkon të mëtojë si parti) i vetmi që protestoi të dielën mbasdite pas Teatrit të Operas dhe Baletit ishte Arlin Qori i lëvizjes “Bashkë”.

“Kush i ka zënë gojën Sali Berishës ka kapur për fyti edhe Edi Ramën. Këta nuk janë politikanë, por kukulla. Impotentë e dallaveraxhinj, shërbyes gjithnjë e më pa karakter të oligarkëve dhe gangsterëve…”, komentoi Qori

Por Sali Berisha ‘liroi gojën’ të hënën në mesditë. Edhe pse dalja e tij ishte për aferën e inceneratorëve me argumentin se i gjithë ky proces nuk mund të trajtohet  ‘vetëm si një aferë familjare e Ahmetajt’, Berisha i është përgjigjur interesit të medias lidhur me ndërtimin e kullës.

Ne foto: Sali Berisha ne deklarate per mediat

I pyetur konkretisht nëse një nga përfituesit e këtij ndërtimi është edhe djali i tij Shkëlzeni, Berisha, duke mos u marrë me ndërtuesit, por me Edi Ramën (ashtu si edhe djali i tij më herët) u përgjigj:

“Përpjekja është të krijojë një zhurmë për të shuar flakët e djegësit të Tiranës që nuk ekziston. Gjatë qeverisjes së PD, Berisha nuk ka dhënë asnjë leje për asnjë kullë, plani që është miratuar në 2012 ka qenë për ndërtim deri në 8 kate në gjithë territorin e Tiranës. Ata që duan të më atribuojnë mua janë shpifarakë. Nëse Edi Rama paska dhënë leje për Shkëlzen Berishën duhet të kesh humbur çdo mendje që të nxjerrësh shpifje të tilla, megjithatë e ftoj Ramën të anulojë menjëherë lejen. PD del sot me deklaratën e saj në të cilën paraqet çështjet e thella ligjore që ekzistojnë për atë ndërtim. Përpiqen të mbulojnë duke shpifur trillime, janë gjëra të mjera e të dështuara, nuk kanë lidhje…”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë