Futboll

Kulmi i absurditetit, skuadra kineze luan me 3 portierë dhe humb 5-0

Në Kupën e Kinës ka ndodhur ajo që nuk mund të imagjinohet në futboll. Kundër Guangzhou Evergrande, skuadrës së drejtuar nga italiani Fabio Kanavaro, Beijing Renhe luajti me tre portierë, dy nga të cilët bënë rolin e sulmuesit të qendrës. Një shpjegim ky vendim e ka…

Në minutat e fundit të një ndeshjeje, që duhet barazuar ose fituar “in extremis”, një nga lëvizjet e dëshpëruara të trajnerëve është ajo e shtimit të centimetrave në sulm për të marrë maksimumin në rastet e goditjeve standarde. Përgjithësisht trajnerët, kur nuk kanë sulmues në stol, u kërkojnë ndihmë mesfushorëve dhe mbrojtësve të japin një dorë në lojën në ajër, por në Kinë ka ndodhur diçka që nuk ishte parë më parë. Trajneri i Beijing Renhe ka hedhur në sulm dy portierë dhe ky është një episod që duhet shënuar në kalendarin e rekordeve sportive.

Momenti, kur në fushë futet një nga portierët-sulmues

Sipas “Sportbible”, për herë të parë në historinë e futbollit, në fushë kanë qenë katër portierë gjatë një ndeshjeje. I pari ishte ai i Guangzhou Evergrande të Kanavaros, Zheng Cheng. I dyti ishte ai që mbronte portën në anën tjetër të fushës, titullari i Beijing Renhe, Zhang Lie. Në zonën kundërshtare, trajneri i miqve hodhi fillimisht edhe Peng Liu e më pas Chen Li, dy portierë të tjerë, por këtë herë si sulmues qendre. E kush më mirë se një koleg i njeh pikat e dobëta të një portieri? Me sa duket, sulmuesit e Guangzhou, që shënuan 5 gola. Të paktën, asnjë gol nuk u shënua kur në fushë ishin tre portierët e Beijing Renhe. Pse kjo zgjedhje nga trajneri? Thjesht, sepse Beijing Renhe kishte vetëm 14 lojtarë në dispozicion për ndeshjen në fjalë, pasi kishte zgjedhur me dëshirë të sakrifikonte ndeshjen e Kupës për atë të kampionatit.

Në çdo rast, ky eksperiment i trajnerit serb Aleksandër Stanojeviç do të mbetet në analet e futbollit. Ndoshta ky është rasti kur futbolli kinez do t’ia kalojë atij anglez. Po, sepse një portier ka luajtur më parë si sulmues, por ishte vetëm një! Ka ndodhur në javën e fundit të sezonit 2004/2005, kur Mançester Siti luante për kualifikimin në Kupën UEFA dhe kur i duheshin centimetra në sulm, trajneri Stjuart Pirs vendosi të zëvendësonte një mesfushor me portierin e dytë, i cili shkoi në portë dhe “liroi” titullarin Dejvid Xhejms të dilte përpara. Edhe në atë rast rezultati nuk ishte mbresëlënës…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë