E mërkura ishte dita e Marash Kumbullës te Roma. Mbrojtësi shqiptar ka zbarkuar sot në Romë, ku ka kryer vizitat mjekësore dhe është gati për skuadrën e re. Debutimi i tij me verdhekuqtë mund të vijë në ndeshjen e fundjavës në kampionat pikërisht ndaj Veronës, tashmë ish-skuadrës së tij.
Kumbulla është në luftë me kohën për debutimin me Romën, që e merr futbollistin 20-vjeçar në formulën e huazimit. Mbrojtësi kuqezi është gati, por ai që vendos për aktivizimin është trajneri Fonseka. Kristian Panuçi, ish-trajner i Shqipërisë dhe ish-lojtar i Romës, tha për “Sky Sport“ se Kumbulla është gati për hapin e madh në karrierë dhe Roma i përshtatet.

Drejtuesit e Romës kanë besim të madh te shqiptari, te karakteristikat e tij teknike dhe personaliteti i tij, ndaj dhe vendosën ta bëjnë këtë investim. Roma do të paguajë 5 milionë euro për huazimin, 18 për blerjen e detyrueshme dhe 7 milionë euro për bonuset, pra 30 në total. Jo gjithçka do të paguhet “cash”, Roma mund t’i japë Veronës edhe dy lojtarë të të rinjve, ndoshta edhe turkun Çetin, i huazuar te kjo skuadër.
Roma u fut në garë në momentet e fundit dhe arriti ta finalizojë marrëveshjen. Interi dhe Lacio më parë tentuan ta merrnin Kumbullën nga Verona, por ishte oferta e Romës që i bindi drejtuesit e klubit, ku mbrojtësi kuqezi shkëlqeu sezonin e fundit. Kumbulla pritet të jetë një nga kolonat e mbrojtjes së Romës dhe do të kemi një derbi të tij me Strakoshën në Serinë A.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje