Futboll

Kumbulla flet si roman: Sfidë e parezistueshme, nuk do zhgënjej

Paulo Fonseka ka një mbrojtësi të ri në dispozicion. Roma zyrtarizoi ditët e fundit Marash Kumbullën, lojtarin e Kombëtares së Shqipërisë, i kërkuar nga shumë klube të mëdha pas atij sezoni mbresëlënës në Serinë A, ku debutoi me fanellën e Veronës.

Kumbulla është transferuar te Roma me formulën e huazimit, me detyrim blerjeje. Në marrëveshjen mes klubeve, Roma ka futur edhe kartonët e tre lojtarëve të saj, Çetin, Kançelieri dhe Diabi, të cilët do të luajnë për Veronën sezonin e ri. Mbrojtësi kuqezi pritet të mbushë te Roma boshllëkun e lënë nga Facio, jashtë planeve të trajnerit Fonseka. Po ashtu, klubi verdhekuq nuk arrit të mbante në skuadër anglezin Smolling, ndërsa Kolarov kaloi tek Interi.

Marash Kumbulla me uniformën e Romës. Gazeta Si, 18 shtator 2020

Marash Kumbulla ka firmosur një kontratë deri në qershor të 2025-ës. Pas zyrtarizimit, ai u shpreh shumë i lumtur për këtë hap të madh në karrierë. “Roma është një mundësi e artë dhe një sfidë e parezistueshme. Më bëri për vete projekti i këtij klubi dhe nuk hezitova në vendimin ti për të ardhur këtu. Do të bëj gjithçka për të mos i zhgënjyer personat që kanë pasur besim tek unë”, – ka theksuar Kumbulla gjatë prezantimit me fanellën e Romës.

Për mbrojtësin shqiptar ishin në lojë disa klube italiane, por edhe gjermane dhe angleze. Interi ishte një mundësi, ndërsa Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, nuk arriti ta mbyllte marrëveshjen në këtë rast, pasi oferta e tij ishte më e ulët se ajo e Romës. Me një letër emocionuese, Kumbulla ka falënderuar klubin e Veronës dhe tifozët e saj. Ai iu bashkua Veronës kur ishte 8 vjeç dhe largohet tani, pas 12 vjetësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë