Marash Kumbulla e ka bërë prezantimin zyrtar me Romën. Ai debutoi me fanellën e ekipit të ri ndaj Juventusit, në atë barazim 2-2, ku paraqitja e mbrojtësit shqiptar ishte në nivelin e duhur. Gjatë prezantimit Kumbulla ka treguar pse zgjodhi Romën për të vazhduar karrierën, ndërkohë që kishte shumë oferta të tjera.
“Zërat për kalimin te Lacio? Është folur shumë edhe për klube të tjera, por kur më telefonoi Roma, nuk hezitova dhe tani jam shumë i lumtur. Këtu kam ardhur për të bërë hapin e madh në karrierë”, – ka theksuar Marash Kumbulla, i cili zhvilloi një sezon shumë të mirë me Veronën. Ai ka dalë në konferencë shtypi në Trigoria me të njëjtin personalitet si ai që tregoi në “Olimpico” ndaj Juventusit. “Jam i lumtur me debutimin, – ka thënë 20-vjeçari, – sepse të luaja ndaj Juventusit ishte emocionuese. Kam keqardhje për faktin që nuk morëm 3 pikët, e meritonim fitoren”.

Me afrimin e Kumbullës, Roma ka një mbrojtje të fortë dhe të re në moshë. “Të luash në një mbrojtje kaq të re është një motivim më shumë. Pavarësisht moshës, ndaj Juventusit u kuptuam mirë dhe ishim të përqendruar. Është një motiv më shumë për të ardhmen, sepse duke qenë të rinj, kemi mundësi të përmirësohemi. Nuk duhet të harrojmë se kemi edhe lojtarë të tjerë të mirë në mbrojtje”, – tha më tej Kumbulla.
Nga Roma pritet të largohen Juan Jesus dhe Facio për t’i bërë vend Kris Smolling, anglezit që sezonin e fundit luajti si i huazuar nga Mançester Junajitd. “Smolling ka një karrierë të mbushur me fitore dhe trofe, por për momentin po mendoj për shokët aktualë të skuadrës. Diferenca mes Juriç dhe Fonsekës? Ndryshon taktika, pasi me Juriç mbulonim një për një, kurse me Fonsekën mbrojmë si repart. Jam i emocionuar për kalimin te Roma, që u bë shumë shpejt. Nuk hezitova për klubin, qytetin dhe tifozët. Ishte e vështirë të lija Veronën, por këtu mund të rrit nivelin tim”, theksoi mbrojtësi kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje