Futboll

Kupa e Gjermanisë, Volfsburg eleminohet në tavolinë pasi bëri gabimisht… 6 zëvendësime

Federata Gjermane e Futbollit ka eliminuar Volfsburg nga Kupa e Gjermanisë pasi skuadra e Bundesligës bëri gjashtë zëvendësime. Volfsburg mundi Preussen Munster 3-1 por ndeshja i është dhënë klubit të divizionit të katërt.

Në ndeshjen me kohën e rregullt trajneri holandez Mark Van Bommel bëri 3 zëvendësime dhe në kohën shtesë bëri dhe 3 zëvendësime të tjera në një kohë kur rregullorja lejon vetëm 5 gjithsej.

Pasi Preusen Munster apeloi rezultatin, arriti të merrte fitoren në tavolinë.

Volfsburg deklaroi se Van Bommel dhe anëtarët e tjerë të stafit stërvitor kishin pyetur vazhdimisht arbitrin e katërt nëse ishte i mundur zëvendësimi i gjashtë. Ata pretendojnë se arbitri Christian Dingert nuk e kundërshtoi zëvendësimin shtesë.

“Nëse ai këshilloi gabimisht klubin gjatë zëvendësimit, mbetet për t’u parë por edhe nëse dikush jep informacion të pasaktë, gabimi themelor ende qëndron te klubi”, deklaroi Federata Gjermane e Futbollit.

Në gusht 2004, Volfsburg bëri një gabim të ngjashëm pasi futi në lojë një lojtar të përjashtuar për disa kohë.

Marian Hristov ishte përjashtuar në finalen e kupës 2003 kur luante për ish -klubin e tij Kaiserslautern dhe, meqenëse Kaiserslautern u eliminua në raundin e parë në 2003/04, përjashtimi i bullgarit ishte akoma i vlefshëm në 2004/05. Rrjedhimisht, pavarësisht se mundi Këln 3-0, Volfsburg u eliminua.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë