Laçi dhe Skënderbeu janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë. Kurbinasit eliminuan me penallti Partizanin, ku “heroi” i tyre ishte portieri shkodran Alesh Sherri, ndërsa korçarët e patën të lehtë në fushën e Dinamos, ku fituan 1-3. Kualifikimi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë vendosej me një ndeshje teke.
Një ndeshje dramatike është zhvilluar në Laç, ku 90 minutat e kohës së rregullt dhe dy shtesat u mbyllën me rrjeta të paprekura, 0-0. Laçi dhe Partizani, pretendentë seriozë edhe për titullin kampion, luajtën një ndeshje shumë të fortë, ku nuk munguan rastet e dyshimta për penallti, 2 për të kuqtë dhe një për vendësit. Megjithatë, arbitri Meta në asnjë rast nuk e pa të arsyeshme të akordonte 11-metërsh.
Pikërisht nga pika e bardhë u vendos edhe skuadra fituese dhe ajo është Laçi, që falë portierit Sherri kalon në gjysmëfinale. Shkodrani priti dy penallti, ato të Bardhit dhe Carës, ndërsa kolegu i tij te Partizani, Alban Hoxha, priti vetëm penalltinë e Mustës. Për Laçin shënuan nga pika e bardhë Shehu, Deliu, Ignjatoviç dhe Mazrekaj. Për Partizanin shënuan Çinari, Mala dhe Murataj.
Gjatë pjesës së parë të kësaj ndeshjeje pati edhe momente paniku, pasi sulmuesi Nuabueze ra në fushë papritur. Stafet mjekësore të dy ekipeve vrapuan tek ai, ashtu si dhe lojtarët, që u trembën jo pak, por sulmuesi amerikan u çua vetë dhe vazhdoi lojën, për t’u zëvendësuar në pjesën e dytë nga trajneri Duro.
Në stadiumin “Selman Stërmasi”, Dinamo dhe Skënderbeu takoheshin pas 9 vitesh. Blutë, që luajnë në Kategorinë e Parë, e patën të vështirë të përballonin korçarët e Superiores, edhe pse në vend të fundit. Skënderbeu shënoi 3 herë me Mensah, Berishën dhe Pusin, kurse Dinamo realizoi golin e nderit me brazilianin Uelber.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje