Futboll

Kupa/ Teuta nxjerr jashtë Vllazninë, kalojnë lehtë Tirana e Kukësi

Janë zyrtarizuar katër gjysmëfinalistët e Kupës së Shqipërisë. Tirana dhe Kukësi e kishin formalitet ndeshjen e kthimit, nuk kishte asnjë dyshim për kualifikimin, ndërsa Teuta ka mundur minimalisht 1-0 Vllazninë dhe ka kaluar në katërshen më të mirë të kompeticionit. Vendosi një gol i Renato Arapit në pjesën e dytë, ndërsa ndeshja e parë kishte përfunduar në barazim, 2-2. Kallaku humbi një penallti në fillimin e ndeshjes për durrsakët.

Tirana barazoi 1-1 në Lezhë me Besëlidhjen, që kaloi e para në avantazh me serbin Gjorgjeviç. Muçi barazoi për bardheblutë, të cilët luajtën me shumë të rinj, duke qenë se në ndeshjen e parë kishin fituar 5-1. Kukësi e zgjidhi ndeshjen me Apoloninë shumë shpejt, duke mos i lënë asgjë rastësisë. Lulaj dhe Shkurtaj shënuan që në pjesën e parë, Et’hemi trefishoi në të dytën, ndërsa fierakët shënuan golin e nderit me Gjatën me penallti.

Pas ndeshjes Kukësi-Apolonia, 3-1. Gazeta Si, 24 qershor 2020

Ekipi i katërt gjysmëfinalist është Bylisi, që barazoi 1-1 në Korçë me Skënderbeun dhe falë fitores 1-0 në ndeshjen e parë, kalon në turin tjetër. Ndeshja pati shumë tension, u akordua një penallti në favor të Bylisit dhe më pas u anulua, pasi nuk ishte. Edhe pse ndeshjet luhen pa tifozë, asistenti Rejdi Avdo është goditur me një shishe plastike. Bylisi ishte edhe surpriza e çerekfinaleve. Dy çiftet gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë do të përcaktohen nga hedhja e shortit të lirë në FSHF.

Çerekfinalet
Besëlidhja-Tirana 1-1 (1-5)
Teuta-Vllaznia 1-0 (2-2)
Kukësi-Apolonia 3-1 (1-2)
Skënderbeu-Bylis 1-1 (0-1)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë