Futboll

Kur karantina shërben për studime, lojtari i Sitit gati për provimet

Shumicës së futbollistëve u ka sosur durimi gjatë karantinës për shkak të pandemisë së koronavirusit, por ka edhe nga ata që kanë gjetur mënyrën e duhur për ta shfrytëzuar këtë periudhë pushimi. Ka nga ata që u janë dedikuar pasioneve të tjera, si video-lojërat, por ka edhe nga ata që si mesfushori i Mançester Sitit, Rodri, i cili ka menduar për të ardhmen.

Spanjolli, që në kohën kur ishte pjesë e Atletiko Madrid, ishte konsideruar nga futbollistët më inteligjentë të panoramës europiane. Ai i është përkushtuar studimit në këtë periudhë izolimi, duke e kaluar kohën me librat dhe jo me topin.

Nuk është diçka e re për dikë që kur luante për Vilarrealin shkonte në universitet, madje jetonte në apartamentin e tij si student, kur kishte luajtur disa ndeshje në La Liga. Tani ka pasur gjithë kohën e nevojshme për t’u impenjuar më shumë me studimet, pasi synon të diplomohet në ekonomi, siç ka shpjeguar për “Goal”: “Të përpiqemi ta përdorim kohën që kemi në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë, për shembull, kam studiuar për diplomimin, pasi së shpejti kam provimet”. Një zgjedhje që i përket së ardhmes. “Mendoj se diploma do të më ndihmojë, nuk i dihet kurrë”, – ka shtuar Rodri.

Rodri në dyluftim me Firminon. Gazeta Si, 8 maj 2020

Dhe spanjolli ka kohë mjaftueshëm, ndryshe nga kolegët e tij futbollistë, pasi nuk është aspak i shpërqendruar nga gjëra të tjera. Mesfushori i Sitit është vërtet një anti-div dhe Guardiola e vlerëson shumë inteligjencën e të tijve, brenda dhe jashtë fushës së gjelbër. Për Rodrin nuk ka pse të shqetësohet, pasi ai nuk ka llogari në Tuiter apo në Innstagram. Teksa shokët e skuadrës merren me video-lojëra apo japin intervista në rrjetet sociale, spanjolli studion për të qenë i përgatitur për jetën pas futbollit. Një tip vërtet i veçantë…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë