Politike

Kur Rama rrëzonte aktet e Berishës në Kushtetuese dhe precedenti për KÇK

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani e cilëson Akti Normativ të Qeverisë si një vandalizëm të Kushtetutës. Me anë të një komenti Manjani i referohet nenit 101 të Kushtetutës mbi natyrën emergjencës së nxjerrjes së aktit normativ.

“Këshilli i Ministrave, në rast nevoje dhe urgjence, nën përgjegjësinë e tij, mund të nxjerrë akte normative që kanë fuqinë e ligjit, për marrjen e masave të përkohshme. Këto akte normative i dërgohen menjëherë Kuvendit, i cili mblidhet brenda 5 ditëve nëse nuk është i mbledhur. Këto akte humbasin fuqinë që nga fillimi, në qoftë se nuk miratohen nga Kuvendi brenda 45 ditëve”, thuhet në nein 101 të Kushtetuës.

Manjani shprehet se ky përcaktim është i qartë si kristali pas këto Akte nxirren vetëm  kur: 1. Është një nevojë dhe urgjencë dhe  2. Ligji përmban masa të përkohshme. Sipas tij ligji nuk mund të cilësohet as urgjencë që të justifikohej anashkalimi i Parlamentit, pasi ai u propozua që në dhjetor të vitit të shkuar. “Urgjenca presupozon një arsye të ngutshme që zakonisht vjen nga fatkeqësi dhe, kur kërkohen ndërhyrje të shpejta dhe s’ka kohë për të ndryshuar ligjet. Në këto kushte nxirret një akt normativ nga qeveria. Vetëm në këto kushte. Nga ana tjetër, masat e propozuara në akt duhet të jenë me natyrë të Përkohshme. KÇK-ja ka tashmë ndryshime drastike parimore me natyrë afatgjatë, pra aspak të përkohshme. Kështu që nën dritën e këtij neni akti i KÇK konsiderohet qartësisht vandalizëm Kushtetues. Rrëmbim ashiqare i pushtetit Legjislativ dhe shmangie e pushtetit gjyqsor nga Qeveria! Haptazi fare!”, shprehet Manjani.

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=853261651784943&set=a.183712528739862&type=3&theater

Kur gjykata Kushtetuese rrëzoi aktet normative që kontestonte PS-ja

Manjani kujton rastin kur Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktet normative të qeverisë Berisha që kishte miratuar për shkak të urgjencës. Pikërisht bëhet fjalë  “Për lejimin e KESh – ShA të marrë pjesë në ankandet e blerjes së kapaciteteve transmetuese dhe të energjisë elektrike”; nr. 3, datë 23.11.2005 “Për një shtesë në ligjin nr. 7971, datë 26.07.1995 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar”; nr. 4, datë 13.12.2005 “Për një shtesë në ligjin nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”. Vendimet e Qeverisë “Berisha” ishte nxjerrë për shkak të thatësirës së madhe të hidrocentraleve dhe situata pamundësonte furnizimin me energji elektrike dhe i jepte të drejtën KESH që të blinte energji në tregun ndërkombëtar.

“Me këto argumente dikur kam fituar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese, si avokat i Partisë Socialiste, kundër aktit normativ të qeverisë Berisha. E pra ai akt i Berishës kishte një sens emergjence sepse popullsia ishte pa energji. E megjithatë akti ra. Edi Rama asokohe më përgëzoi për fitoren. Sot po i sjell në vëmendje të njëjtat argumente dhe të njëjtin nen, që të kuptojë ku është katandisur! Edhe më keq se “i keqi” Sali…”, shprehet Manjani. Gazeta “Si” ka gjetur vendimin e marrë asaj kohe nga Gjykata Kushtetuese. Kjo gjykatë u vu në lëzivje pasi 33 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë kërkuan shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën të akteve normative me fuqinë e ligjit , si dhe interpretimin përfundimtar të nenit 101 të Kushtetutës.

Faksimile e vendimit të Gjykates Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese në vendimin e nxjerrë në vitin 2006 vlerëson se shprehja “masa të përkohshme”, në përmbajtjen e nenit 101 të Kushtetutës, duhet kuptuar e lidhur vetëm me fuqinë e përkohshme, maksimumi 45 ditëshe, të aktit normativ me fuqinë e ligjit që i përmban ato masa dhe jo me fuqinë juridike të ligjit që e ka miratuar atë”. Pra me këtë argumentim paketa e re Anti KÇK bie poshtë, pasi qeveria parashikon që këtë akt normativ ta zbatojë jo për 45 ditë, por për 10 muaj.

Gjykata Kushtetuese vlerëson gjithashtu, se Kuvendi disponon tagra të plota për të zgjedhur një nga tre alternativat e mëposhtme: të marrë në shqyrtim dhe ta miratojë aktin e nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, ta marrë në shqyrtim dhe të mos e miratojë atë, të heshtë derisa të plotësohet afati 45 ditor që dispozita kushtetuese i ka lënë në dispozicion për t’u shprehur lidhur me aktin.

“Në mënyrë të qartë, Kushtetuta e ka përcaktuar afatin 45 ditor si një afat prekluziv që nuk mund të zgjatet për asnjë lloj arsyeje dhe nga asnjë autoritet. Përfundimi i këtij afati sjell pasoja të menjëhershme për aktin normativ me fuqinë e ligjit, duke e lënë atë pa fuqi që nga fillimi”, thuhet në vendimin e Kushtetueses që gazeta “Si” disponon.

 Gjithashtu si argumente jepen edhe rëndësia e vlerësimit dhe të nevojës dhe urgjencës që janë të lidhura bashkë.

“Kuptimin e tyre të vërtetë termat nevojë dhe  urgjencë e manifestojnë në kuadër të situatës të rastit konkret, duke i vlerësuar në kohën kur është vërtetuar prania e tyre. Nga kuptimi i përmbajtjes së nenit 101 të Kushtetutës rezulton se vlerësimin e parë faktik dhe substancial të këtyre elementëve i përket ta bëjë, qeveria. Ajo nuk mund të ndërmarrë një nismë për nxjerrjen e një akti normativ me fuqinë e ligjit, pa vlerësuar më parë rrethanat e krijuara që kanë shkaktuar nevojë dhe urgjencë. Natyra e vlerësimit që bën ky organ është faktik dhe juridik”, thuhet në këtë vendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë