Futboll

Kur spotin e turneut “Neymar jr’Five” në Itali e bënte vlonjati Romeo Çanaj

Nga Fatjon Rupi – Në Itali do të zhvillohet turneu “Neymar jr’Five”, një turne i kthyer në një markë nga futbollisti i njohur brazilian, në bashkëpunim me kompaninë Red Bull. Nuk është si futbolli në fushat e blerta, luhet 5 kundër 5 nga meshkujt dhe nga femrat. Elementi bazë është teknika, që Nejmar e ka pikën e tij më të fortë.

Janë 10 etapa për të arritur deri në finalen që përcakton fituesin, ekipin që më pas dë të shkojë në Brazil për këtë event për t’u ndeshur me kundërshtarë nga e gjithë bota. Për spotin e këtij aktiviteti duhen lojtarë me teknikë të lartë. Dhe ja, njëri prej tyre është gjetur, quhet Romeo Çanaj…

Romeo Canaj (i pari majtas ulur) gjatë turneut meekipin e tij. Gazeta Si, 18 prill 2021

Nga emri kuptohet që nuk është italian, por shqiptar. Po, është vlonjat dhe që në moshën njëvjeçare ka shkuar në Itali, ku është rritur futbollistikisht te Venecia. “Po kërkonin disa lojtarë të mirë teknikisht për të realizuar spotin e turneut, – tregon Romeo për Gazeta Si, – dhe më zgjodhën mua bashkë me një shok tjetër të ekipit, pasi ne bënim lojë më teknike.

Ishte një aventurë shumë e bukur, një eksperiencë e rrallë. Aktiviteti zhvillohet me etapa dhe dy herë, me ekipe të ndryshme, kemi arritur të kalojmë 10 etapat dhe të shkojmë në finalen e këtij turneu, por në të dy rastet nuk kemi fituar dhe kështu kemi humbur mundësinë për të shkuar në Brazil, ku zhvillohet faza finale me pjesëmarrës nga gjithë bota. Do të ishte bukur, e kam pasur ëndërr”, – thotë futbollisti vlonjat, që luan në rolin e trekuartistit. Gjatë spotit kamera fokusohet te driblimet e vlonjatit me top.

Romeo ka spikatur që në moshë të vogël dhe në aktivitete të ndryshme ka fituar disa çmime individuale. Aktualisht stërvitet në Shqipëri, me Tiranën U-21, dhe është në pritje të shansit për të bërë hapin e madh për karrierën e tij. Djaloshi pohon se një mundësi është edhe futbolli shqiptar.

“Kohët e fundit nuk kam marrë pjesë në aktivitet, për shkak të pandemisë dhe rrugullave që u vendosën në Itali për kategoritë e ulëta. M’u krijua mundësia të stërvitem te Tirana dhe jam shumë i kënaqur. Pse jo, do të më pëlqente të luaja në kampionatin shqiptar në të ardhmen”, – shprehet Romeo Çanaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë