Politike

Kurba e proceseve (fiktive) zgjedhore për kryetar të PD gjatë viteve 1991-2023 (mbizotëron dyshja Berisha-Basha)

Partia Demokratike po bën sërish zgjedhje për kryetar. Ajo u krijua në dhjetor 1990 nga studentët dhe intelektualë të njohur, por sot ajo ka hyrë në një krizë të thellë përfaqësimi, identiteti dhe partneriteti euroatlantik, vëren ISP.

Bazuar në të dhënat monitoruese të ekspertëve të ISP, prej 1991 PD ka zhvilluar 13 procese zgjedhore për kryetar, por zgjedhjet e korrikut 2023 janë të dytat ku zgjedhjet bëhen paralele nga dy grupime që pretendojnë përfaqësimin, trashëgiminë dhe logon zyrtare të PD.

Më 1991 PD zhvilloi zgjedhjet e para konkurruese për kryetar ku në garë ishin kryetari i përkohshëm (Berisha) dhe dy nënkryetarët (Hajdari dhe Ceka).

Më 1992 pati zgjedhje të reja për kryetar për shkak se Berisha u bë President, numri dy Selami konkurroi përballë dy nënkryetarëve Imami e Hajdari dhe fitoi zgjedhjet.

Pas 1992 zgjedhjet konkurruese e humbën traditën, – zgjedhjet e vitit 1993, 1996, 1997 dhe 1999 ishin zgjedhje formale me kandidatë të dytë formalë, jo me rivalë realë në garë. Zgjedhjet e viteve 2001, 2005, 2009 u bënë edhe më formale, duke pasur vetëm një kandidat formal në fletën e votimit (Berisha).

Kryetaret e PD nder vite (gara)

Në vitin 2013 në PD u rikthye rivaliteti, por më 2017 nuk u pranua konkurrimi real, ndërkohë që zgjedhjet pasuese 2021 ishin proces formal për shkak të kontrollit të PD nga kryetari. Pas ndarjes së PD në dy pjesë, fraksioni i drejtuar nga Berisha e rikonfirmoi atë kryetar më 2022 në një proces formal, si dhe më 2023 pritet që fraksioni i drejtuar nga Basha ta rikonfirmojë atë gjithashtu në një proces formal votimi.

“Kurba e forcës politike që krijoi pluralizmin, nga modeli i një partie demokratike dhe konkurruese tek modeli i një partie pa zgjedhje demokratike dhe pa konkurrencë dhe tashmë model i dy fraksioneve të njëjta pa zgjedhje dhe pa konkurrencë, përbën një nga treguesit më kritikë të tranzicionit”, vëren Instituti i Studimeve Politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë